Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka dorëzuar padi për shtyrje të ekzekutimit të vendimit kundër Vendimit për Leje Mjedisore komunale të Komunës së Prishtinës për projektin “Parku i aventurave” në Gërmi.
Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha se komuna ka lëshuar leje mjedisore për realizimin e këtij projekti.
“Sipas Institutit për Mbrojtjen e Natyrës ky lokacion është zona më e rëndësishme e biodiversitetit në peizazhin e mbrojtur të Gërmisë. Po ashtu në këtë zonë gjenden pyjet e ahut më të vjetra dhe më të ruajtura në Kosovë. GLPS dhe Qytetarë Aktivë konsiderojnë që ky vendim është në kundërshtim me ligjet në fuqi. Në këtë rast, Komuna ka vepruar jashtë autorizimeve që i jep udhëzimi administrativ për dhënien e lejes mjedisore komunale, si dhe ka vepruar në kundërshtim me procedurat e parapara për këtë kategori të projekteve në Ligjin për Ndikim në Mjedis”, ka thënë ai.
Sipas tij, as Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk e ka vlerësuar të drejtë kërkesën e Komunës.
Të dy këto institucione, siç tha ai, kanë shmangur kërkesat ligjore dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrje.
“Në padi GLSP dhe Qytetarë Aktivë kërkojnë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje administrative të shtyjë ekzekutimin e vendimit të Komunës së Prishtinës deri në vendosjen meritore të rastit dhe në fund të anulojë vendimin e Komunës së Prishtinës”, ka shtuar Fetahu.