Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka reaguar pasi Parlamenti Evropian votoi me 472 pro Kosovës.
Pacolli ka vënë në dukje se në të gjitha raportet e progresit duke filluar nga i pari e deri tek raporti i fundit, që u diskutua sot, është thënë se korrupsioni mbetet shumë i përhapur dhe se mungon vullneti politik. Kaq ka mjaftuar për shtetet anëtare të BE-së.
Postimi plotë i Pacollit:
Parlamenti Evropian nga fillimi ka qenë pro liberalizimit të vizave për Kosovën. Edhe kësaj radhe 472 vota ishin për Kosovën. Sikur vendimi të merrej në PE por liberalizimi i vizave është vendim i shteteve anëtare të BE-së. Qeveritë e kaluara, të korruptuara e të përfshira edhe në krim ekonomik të organizuar, nuk kanë arritur të bindin shtetet anëtare se Kosova ka luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Rekomandimi i Komisionit Evropian ka qenë dhe mbetet vetëm një rekomandim. Vendimin shtetet anëtare e bazojnë në ato cfarë u raportojnë ambasadat e tyre në Kosovë, raportet e progresit dhe atë cfarë thonë ekspertët evropian. Në të gjitha raportet e progresit duke filluar nga i pari e deri tek raporti i fundit, që u diskutua sot, është thënë se korrupsioni mbetet shumë i përhapur dhe se mungon vullneti politik. Kaq ka mjaftuar për shtetet anëtare të BE-së.
Ndërsa, tani shtetet anëtare nuk kanë më arsye të bllokojnë lëvizjen pa viza për Kosovën. Tani, Kosova ka qeveri të pakorruptuar. Ka qeveri me vullnet të madh politik dhe guxim të luftoj korrupsionin dhe krimin e organizuar. Punët, vendimet e veprimet e qeverisë Kurti II do të ndikojnë edhe në qasjen e shteteve anëtare ndaj Kosovës.