Behgjet Pacolli, ka ndarë përvojat e tij interesante dhe ndonjëherë të rrezikshme që ka pasur me aeroplanin e tij privat. Ai tha se kalon rreth gjysmë milioni kilometra në vit, duke theksuar se këto përjetime janë të shumta, por gjithsesi aeroplani për të është një mjet pune dhe jo luks.
“Kam pasur përvoja e përjetime të ndryshme sepse unë kaloj gjysmë milion kilometra në vit. Ka përjetime, por me rëndësi është se aeroplanin nuk e konsideroj si lluks, as si aset vetëm për ta futur në librat e kontabilitetit, por e konsideroj si aset pune, sepse e përdor për punë të ndryshme, në shtete të ndryshme”, tha Pacolli në një intervistë për FrontOnline.
Ai po ashtu kujtoi një incident të rrezikshëm me një aeroplan tjetër, që e kishte marrë për një udhëtim privat, ndërsa aeroplani i tij ishte në mirëmbajtje.
“Nuk kam rrezikuar ndonjëherë me aeroplanin tim privat, një herë kam rrezikuar me një aeroplan tjetër, që e pata marrë derisa i imi ka qenë në mirëmbajtje dhe e pata marrë privat nga Turqia. Dhe në moment të nisjes kemi pasur një avari dhe ajo ka mundur të ishte edhe tragjike, por u hetua para se të ngrihej në ajër dhe e kemi lënë atë aeroplan”, theksoi Pacolli.
Pavarësisht incidenteve të tilla, Pacolli ka besim të thellë tek teknika, por, siç tha ai, besimi i tij më i madh është në fuqinë e Zotit.
“Turbulenca ka pasur shumë, por ato harrohen. Unë i besoj teknikës, por më tepër i besoj në Zot, në Perëndinë, e deri kur ka thënë Zoti me jetu, jetoj, dhe aty është fundi, e që ne nuk e dijmë dhe ecim përpara duke besuar në fuqinë e Zotit”, përfundoi ai.