Sot, pesë vjet më parë, Kosova u pranua në UEFA, raporton FrontOnline.
Në këtë ditë, pesë vjet më parë, Kosova u pranua në UEFA, organin qeverisës të futbollit evropian, përkundër kundërshtim dhe lobim të ashpër nga Serbia.
Në Kongresin e UEFA-s më 3 maj 2016, Kosova u bë anëtari i 55-të i shtëpisë evropiane të futbollit, me 28 vota pro, 24 kundër. Dy vota ishin shpallur të pavlefshme.
Këtë ditë të madhe e ka kujtuar edhe ish-presidenti dhe tani deputeti i Kosovës, Behgjet Pacolli.
Në rrjetin social “Facebook”, Pacolli ka kërkuar që të punohet më shumë për futbollin e Kosovës.
Postimi i plotë i Pacollit:
“5 vjet në UEFA
5 vjet nga sublimimi i sakrificës së shumë brezave…
Ëndrrës së shumë talentëve, që u shuan pa e shijuar, duke qenë të getoizuar dhe të privuar nga e drejta për garë të barabartë me të tjerët.
5 vjet kur UEFA përmirësoi një padrejtësi që i bëhej sportit më popullor në Kosovë dhe investimeve të shumta nga njerëz të vullnetit të mirë.
Urimet u takojnë pishtarëve që mbajtën gjallë futbollin, përkundër vështirësive.
5 vjet pas pranimit, kur kthejmë kokën prapa, shikojmë investimet infrastrukturore, që lënë shumëçka për t’u dëshiruar.
Gjendja aktuale, nuk është ajo që e dëshironte gjithsecili që është në rrethin e këtij sporti magjik.
Megjithatë, magjia e futbollit vazhdon të shkëlqejë, duke pritur që shpejtë të dalë nga improvizimet dhe planifikimet sot për sot.
Duhet të fillojmë të mendojmë secili, për t’ia dhënë meritat futbollit e sportit në përgjithësi, për kontributin dhe promovimin e madh që ia kanë bërë Republikës sonë.
Para sportit, u gjunjëzuan edhe kundështarët më të mëdhenjë të shtetësisë së Kosovës, edhe shtetet të cilave simbolet dhe himni i “Dardanëve”, iu imponuan me sukseset e arritura
5 vjet pas pranimit në UEFA, uroj të gjithë komunitetin e futbollit, për këtë përvjetor, me dëshirën që hapa të tjerë akoma më gjigantë të bëjmë në 5 vitet e ardhshme.
Shoqëria e bizneset duhet të bëjnë më shumë për futbollin e sportin, duke e shfrytëzuar si vegëz të rëndësishme edhe për interesa nacionale dhe forcim të shtetësisë së vendit tonë.”./FrontOnline/