[wp-story]

Front TV

Pacolli: Kam frikë që Kurti do ta pranojë Asociacionin, është fatal për Kosovën

Pacolli: Kam frikë që Kurti do ta pranojë Asociacionin, është fatal për Kosovën
20:31 | 28 Prill 2021

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe kohëve të fundit po përmendet si kusht kryesor në dialogun me Serbinë në këmbim të njohjes së shtetit të Kosovës.

Madje, një gjë të tillë po e përmendin edhe ndërkombëtarët.

E, lidhur me këtë në një intervistë për Front Online, kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka thënë se tema e Asociacionit është problem serioz dhe nuk është dashur të diskutohej fare në tryezat e Brukselit.

Sipas tij, marrëveshja për Asociacionin është obligim ndërkombëtar dhe se nëse Kosova siç thotë Pacolli heziton ta implementojë të njëjtën, atëherë kjo do të jetë “mollë sherri” mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Por, pavarësisht kundërshtimeve të Albin Kurtit, në kohën sa ishte në opozitë e po ashtu edhe tash në pozitë për këtë marrëveshje, Pacolli për Front Online thotë se ka frikë që Kurti do ta ndryshojë qasjen dhe do të mund të ndodhë që edhe Asociacioni të bëhet.

Ndërsa, thotë se kushtëzimet do të jenë fatale.

“Kam frikë se po, do të ndryshon qasjen. Unë nuk besoj në atë që për të qeveris Kosovën duhet ndryshuar shumëçka nga ai botëkuptimi opozitar ose nga veprimet opozitare. Opozitari mendon ndryshe normalisht, mirëpo tani edhe z.Kurti ballafaqohet me shumë probleme dhe nëse nuk fillon me zgjedhjen e tyre në harmoni edhe me tjerët Kosova është e vogël, Kosova nuk ka forcë me i kundërshtua miqtë e vet të cilët janë meritorë për pavarësimin e Kosovës, dhe kushtëzimet do të jenë fatale për Kosovën”, ka deklaruar ai, për Front Online.

I, pyetur se për çfarë kushtëzime fatale e ka fjalën, Pacolli pa dashur të flasë gjatë thotë se kushtëzimet do të jenë pikërisht për ta bërë Asociacionin.

“Kur them fatale se ose do të implementosh ose kushtëzimet do të jenë aty, do të kushtëzojnë me e bë e ne nuk kemi forcë me i përballu këto kushtëzime”, është shprehur ai.

Thotë se nëse kryeministri Kurti do t’i kundërshtonte këto vendime do ta kishte përkrahjen e tij, por deklaron se ka frikë pasi që ndërkombëtarët tashmë këtë marrëveshje e kanë kuptuar si obligim

Sipas tij Asociacioni nuk i nevojitet Kosovës por as serbëve.

“Unë po e them jo që duhet me ndodhë ajo, se unë jam i pari që do të mbështetsha z.Kurti në çdo hap, do të thotë që ai mendon, por kam frikë se të huajt e kanë kuptuar Asociacionin si një obligim nga i cili nuk do të heqin dorë, do të doja shumë që të heqin dorë, do të doja se Asociacioni nuk është një gjë që i nevojitet Kosovës por as serbëve, Asociacioni vetëm krijon probleme edhe më të”, tha ai për Front Online.

Kjo është arsyeja pse Behgjet Pacolli nuk e votoi Qeverinë “Kurti 2”

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka thënë se asnjëherë në karrierën e tij politike nuk ka qenë bllokues i formimit të institucioneve, por gjithmonë ka dhënë kontributin e tij në shtetndërtim.

Ai në një intervistë për Front Online, ka thënë se edhe në ditën kur u votua Qeveria “Kurti 2” ka bërë përpjekje maksimale për të arritur në Kosovë, por kjo ka qenë e pamundur.

“Unë jam nisur me ardh për ta votuar Albin Kurtin. Unë e kam votuar qeverinë “Kurti 1” në momente më specifike dhe do ta votoja edhe “Kurti 2”. Unë jam nisur me ardhë dhe kam qenë i bllokuar në Aeroport për shkak të masave pandemike. Unë nuk kam qenë në Evropë, kam qenë jashtë Evropës dhe ai shtet ku unë isha ishte nën masa të rrepta për Zvicrën ku e kisha destinacionin. Kështu që jam vonuar, unë kam ardhur atë ditë në Kosovë, por kam ardhur me një vonesë të madhe dhe nuk ia ka vlejtur të deklarohem për atë”, ka thënë Pacolli për Front Online.

Sipas tij, prezenca do të ishte vetëm formale ngase e dinte se Kurti i kishte votat e mjaftueshme për ta formuar Qeverinë.

“Një gjë e kam ditur se Kurti i ka votat dhe nuk ka nevojë për votën time dhe prezenca ime do të ishte krejtësisht formale, dhe mua gjërat formale nuk më nevojiten, dua të bëjë gjëra praktikisht që kanë skelet dhe shpirt”, ka thënë ai për Front Online.

Çka diskutuan Osmani e Pacolli në ditën kur u votua Presidentja?

Në ditën kur u zgjedh Vjosa Osmani presidente e vendit, ajo që ra në sy të mediave ishte edhe një moment kur Osmani para se të fillonte votimi u konsultua me Behgjet Pacollin.

E, pas kësaj konsulte që të dy dolën nga salla e Kuvendit, për t’u rikthyer sërish, shkruan Front Online.

Për këtë takim dhe atë se çka është diskutuar ka dhënë detaje në një intervistë për Front Online, vet kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli.

Ai ka thënë se për atë takim nuk ka asgjë sekrete dhe se arsyeja se përse Vjosa Osmani e ka ftuar jashtë ka qenë vetëm për ta falënderuar.

“Absolutisht nuk ka asgjë diçka sekrete ajo e ka konsideruar se ajo e ka ditë së pari që unë jam kthyer nga rruga, ajo e ka dit që mua më është thënë që nuk do të ketë seancë se unë në një farë mënyre kam qenë viktima aty dhe e ka konsideruar si normale që të vij të ma shtrij dorën dhe të më thotë faleminderit çka unë e konsideroj dhe ne nga aty kemi dal, kemi shku mbrapa kemi pirë kafe dhe vetëm nja e di që kam thënë, unë e bëj këtë jo për ty, jo për dikë tjetër po e bëj veç pse ai është parimi im dhe asgjë të jashtëzakonshme nuk jam duke bërë, dashtë Zoti që dikush ta din dhe vetëm mos ta kthejnë me të keq”, ka deklaruar Pacolli, për Front Online.

Ishte në aeroplan, kush e telefonoi Pacollin në ditën e votimit të Presidentes dhe ia ndërpreu udhëtimin?

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, që njëherësh është deputet i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se në ditën e parë kur është votuar Presidentja, ishte duke udhëtuar nga Stambolli dhe derisa ishte brenda në aeroplan kishte marrë një telefonatë nga Kabineti i Presidentes gjë që bëri të zbriste nga aeroplani dhe të kthehej në Prishtinë.

Ai thotë se këtë veprim e ka bërë që ta ndihmojë Kosovën që të ketë institucionet e veta.

Pacolli në një intervistë për Front Online ka thënë se ka arritur të sigurojë votën e një deputeti për Presidenten.

“Ishte momenti që fillonin “Pashkët”, fëmijët e mijë kishin një javë pushim dhe u pata premtuar atyre që do të shkonim në pushim diku dhe unë u nisa me qëllim që t’i dërgoj në vend ku duhet dhe të kthehem. Mirëpo, duke hipur në Aeroplan në Stamboll, vajza vinte prej një drejtimi tjetër, tre fëmijët tjerë vinin prej Zvicrës dhe ne u bëmë bashkë. Kam qenë duke u ulur në aeroplan dhe më erdhi një telefonatë dhe thotë që seanca do të fillon në ora 18:00, atëherë ishte ora 15:30, më telefonuan prej Kabinetit të Presidentes. Unë e dija se prezenca është shumë me rëndësi dhe unë vetëm ju kam thënë pilotëve shkoni pa mua. Unë dmth i kam lënë fëmijët e mijë ashtu nën moshën 18 vjeç me shku vet”, ka thënë Pacolli për Front Online.

Ai tutje ka treguar se në atë seancë ka munguar edhe një votë për Presidenten dhe ai personalisht e ka “lutur” dikë që t’ia jap votën.

“E pash se është e pa ekzekutueshme në atë mënyrë, unë e luta dikën që ta sigurojë një votë. Unë gjithë kohën kam qenë në kontakt me Presidenten Osmani  dhe me z.Kurtin dhe diku ka ora 15:00 është siguruar vota”, tha ai.

E kur u pyet se e kujt ishte ajo votë, ai nuk deshi ta bëjë publik emrin e deputetit?

“Nuk ka qenë vota e Albena Reshitaj”, tha Pacolli.

Gazetarja:  A ka qenë Adem Hoxha?

“Nëse bon mos me fol me emra për arsye se më duket pak si arrogante nga ana ime me përmend emra tash. Kontributi im ka qenë evident, unë diku deri në ora 04:00 kam qenë zgjuar dhe unë në fillim të seancës kam qenë i sigurt se Presidentja do të zgjidhet”, tha Pacolli për Front Online.

Pacolli për postin e Presidentit: Kurrë nuk do ta kërkoja votën e atyre që vijnë të dehur në Kuvend

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli nuk e përjashton mundësinë që në një të ardhme të afërt t’i hyjë garës përsëri për president të Kosovës.

Por, thotë se këtë do ta bënte vetëm nëse presidenti i vendit, zgjidhet me votën e qytetarëve e asnjëherë duke kërkuar votën e deputetëve.

“Unë shpresoj shumë që do të ketë një ligj për zgjedhjen e presidentit dhe po të kishte ndodhur një Ligj i tillë që presidenti të zgjidhej nga qytetarët, nuk mund të garantoj askush që unë nuk do të isha njëri prej kandidatëve, unë do të garoja”, ka deklaruar Pacolli për FrontOnline.

Duke, aluduar në deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët edhe votojnë për zgjedhjen e presidentit të vendit, Pacolli ka thënë se asnjëherë nuk do të jetë në mëshirën e atyre që vijnë të dehur në parlament, madje sikur të jetonte edhe një mijë vjet.

“Por që të hyja dhe të jem në mëshirën e njerëzve të cilët ndoshta deri në ora 4 ora 5 kanë kaluar kohën nëpër kafene ndoshta edhe të dehur kanë ardhur aty ose para njerëzve të cilët shprehin hidhërimet frustrimet e tyre dhe unë të i lus ata që të më votojnë, asnjëherë kurrë në jetë por edhe sot edhe njëmijë vjet të kisha jetuar, nuk do të i nënshtrohesha asnjëherë votës së parlamentarëve”, është shprehur ai, për FrontOnline.

Sipas tij vota e qytetarëve është serioze dhe se vetëm në këtë proces ka korrektësi, e asesi tek disa parlamentarë të cilët brenda natës mund t’i kthesh kah të duash.

Pacolli tregon se kush do të jetë kandidat i AKR-së për Komunën e Prishtinës

Aleanca Kosova e Re në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit ka garuar në një listë të përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e që një bashkëpunim i tillë është duke vazhduar.

Por, se a do të ketë bashkëpunim edhe në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtën e këtij viti, në një intervistë për FrontOnline, flet kryetari i kësaj partie, Behxhet Pacolli.

“Sinqerisht, nuk di, ende s’kemi biseduar me LDK-në, LDK-ja është njëherë duke u konsolidua vet për arsye se ata i kanë problemet ndoshta më të mëdha se sa të AKR-së, por sidoqoftë e shoh një vështirësi për partitë e vogla që të garojnë, ne do të garojmë dhe më vjen shumë shumë keq të them edhe njëherë se mundësitë të cilat AKR-ja do t’i kishte në menaxhimin ose në udhëheqjen e një komune në këtë rast të kryeqytetit janë mundësi unikale, mundësi që asnjëherë të tjerët nuk do t’i kenë”, ka thënë Pacolli.

I, pyetur se a është ky një sinjal që vet Pacolli të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës, ai ka mohuar një gjë të tillë.

“Unë jo, por nëse AKR-ja kushdo që është i AKR-së, do të kishte fatin ta udhëheq Prishtinën jam i bindur, dhe këtë unë ju garantoj sot që Prishtina do të jetë, do të bëhet një metropol”, është shprehur ai.

Pacolli, ka thënë se insiston që kandidat për të parin e Prishtinës të jetë vëllai i tij, Selim Pacolli, i cili aktualisht është nënkryetar i Komunës së Prishtinës.

“Unë drejtën me të thënë, shumë insistoj që vëllai im të jetë, Selimi. Ai gjatë kësaj periudhe ka punu jashtëzakonisht ka punuar jashtëzakonisht shumë si nënkryetar i komunës me krejt limitet që i ka ai, me krejt padrejtësitë që ndodhin ndoshta edhe para syve të tij për arsye se ai më tregon, edhe me krejt me ato në atë mënyrën primitive të punës që e kanë atje. Vëllai im po të ishte, nëse prej AKR-së, pranon me siguri që do të jetë ai kandidati dhe unë do ta mbështes atë, por unë nuk di më mbështet ndryshe por vetëm me vepra konkrete”, ka deklaruar i pari i AKR-së./FrontOnline/

“M Sillosi” S’ka nëvojë për panik, grurë ka me bollëk

Të tjera