×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Pa kartelë, me euro në dorë: Si e dëmtojnë pagesat me para të gatshme buxhetin e Kosovës?

    FrontOnline
    06 Janar 2026

    Arben Musliu, nga Fushë-Kosova, e përdor kartelën e tij bankare vetëm një herë në muaj: kur tërheq pagën mujore.

    Të gjitha pagesat, qoftë për shërbime komunale apo për blerje në dyqane, 48-vjeçari i realizon me para të gatshme, pa marrë parasysh vlerën.

    Madje, para tre vjetësh, ai pagoi 5 mijë euro para të gatshme për ta ndërruar veturën e tij me një më të re.

    “Nuk i besoj tërheqjes së shpeshtë të parave nga bankomatët. Paratë në kuletë i menaxhoj më lehtë. Edhe kursimet i mbaj në shtëpi, jo në bankë. Nuk kam ndonjë arsye konkrete, por thjesht nuk besoj… nuk besoj”, thotë ai.

    Ndryshe nga Arbeni, Besarta, 23-vjeçare, pohon se të gjitha blerjet dhe pagesat e shërbimeve i kryen në formë elektronike.

    “Bëhem nervoz kur nuk ka POS [aparate për kryerje të pagesës me kartelë] në dyqane, sepse nuk mbaj para në kuletë”, shprehet ajo për REL-in, duke shtuar se me këtë problem përballet kryesisht në biznese më të vogla, që shpeshherë nuk lëshojnë as kuponë fiskalë.

    Shumë qytetarë dhe biznese vazhdojnë t’i përdorin paratë e gatshme më shumë, pasi që paranë fizike e shohin si “më të sigurt”, thonë ekspertë të ekonomisë. Por, sipas tyre, të rinjtë bëjnë përjashtim.

    Sipas Bankës Botërore, vetëm 76 për qind e të rriturve në Ballkanin Perëndimor kanë një llogari transaksionesh, në krahasim me 99 për qind të të rriturve në Eurozonë.

    Por, këto pagesa me para të gatshme nuk regjistrohen dhe nuk monitorohen nga autoritetet fiskale, pasi nuk lënë gjurmë elektronike, thotë profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi.

    Sipas tij, kjo formë e pagesave jashtë kanaleve bankare i shkakton humbje buxhetit të shtetit përmes shmangies nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), tatimi mbi paga dhe tatimi mbi fitimin, dhe lehtëson shitjen e produkteve pa kupon fiskal.

    Bektashi merr si shembull rastin kur një person paguan 5 mijë euro me para të gatshme, duke theksuar se në këtë rast shteti humb 900 euro, sa i bie të jetë 18-përqindëshi i TVSH-së.

    “Heqja e parasë së gatshme, përveç që ndikon fuqishëm në eliminimin apo zvogëlimin në minimum të ekonomisë joformale, ndikon edhe në zvogëlimin e fenomeneve të dëmshme, siç janë korrupsioni, ryshfeti dhe shumë fenomene të tjera”, thekson Bektashi.

    Nëse shteti do të arrinte t’i mblidhte të gjitha tatimet, Bektashi konsideron se buxheti i vitit 2026 do të arrinte në rreth pesë miliardë euro, sepse do t’i shtoheshin rreth një miliard euro më shumë nga TVSH-ja dhe tatimet tjera.

    Dhe, kjo shumë do të mund të përdorej për investime kapitale.

    Qeveria në detyrë e Kosovës e ka miratuar buxhetin për vitin 2026, që kap shifrën e rreth katër miliardë eurosh.

    Në një raport të Bankës Botërore thuhet se nëse një vend shënon rritje për 10 për qind të pagesave digjitale, ekonomia joformale e atij vendi ulet për rreth 2 për qind si rrjedhojë.

    Edhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK) vlerëson se ekonomia joformale ndikon drejtpërdrejt në rritjen e përdorimit të parasë së gatshme, pasi që bizneset informale preferojnë transaksione të pagjurmueshme për t’i shmangur detyrimet fiskale.

    “Të dhënat e vitit të kaluar tregojnë se vërehet një tendencë pozitive e rritjes së transaksioneve përmes kanaleve digjitale. Megjithatë, sfidë mbetet mungesa e besimit dhe edukimit financiar”, thuhet në një përgjigje nga BQK-ja.

    Për këtë arsye, BQK-ja thotë se synon forcimin e sigurisë dhe besimit në sistemet e pagesave, si dhe zgjerimin e përdorimit të pagesave digjitale.

    Ekonomia joformale, mbi 30 për qind e PBB-së

    Instituti Riinvest në vazhdimësi përcjell nivelin e informalitetit përmes anketimit të bizneseve. Në raportin “Zhvillimet ekonomike: Kërcënimet nga kriza institucionale”, publikuar në nëntor të vitit të kaluar, thuhet se informaliteti në Kosovë sillet nga 30 deri në 35 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

    PBB-ja për vitin 2025 ishte mbi 11 miliardë euro.

    Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) nuk është përgjigjur në pyetjen e REL-it se sa është vlera e ekonomisë joligjore.

    Por, drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, tha më 22 dhjetor, gjatë një konference vjetore, se ky institucion ka mbledhur mbi një miliard euro më 2025, duke shënuar rritje prej 11 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Rreth 49 për qind ishin të hyra nga TVSH-ja.

    Profesori Bektashi shprehet se autoritet kompetente duhet të angazhohen që përdorimi i parasë digjitale të rritet në të gjithë sektorët, pasi është thelbësor për modernizimin e ekonomisë dhe uljen e ekonomisë joformale.

    Labinot Haxhiu, udhëheqës i Bankingut Digjital në bankën TEB, përmend rëndësinë e adoptimit të shërbimeve financiare nga brezat e rinj, për të cilët bankingu duhet të jetë po aq i lehtë sa rrjetet sociale, dhe po aq i menjëhershëm sa aplikacionet e mesazheve.

    “Të rinjtë në Kosovë jetojnë online. Për ta, bankingu nuk lidhet me sportele dhe pritje në radhë, por me përvoja digjitale intuitive, të qasshme dhe të personalizuara”, ka shkruar ai në revistën financiare “Bankieri i Kosovës 2025-2026”, publikuar nga Shoqata e Bankave të Kosovës.

    Në Kosovë operojnë dhjetë banka komerciale. Numri i kartelave debit në vitin 2024 kishte arritur në 1.4 milion, kurse i kartelave të kreditit në rreth 195 mijë.

    Në nivel vendi janë 635 bankomatë [aparate bankare për tërheqje të parave], dhe 20.913 terminale POS, ku qytetarët mund të bëjnë pagesa me kartelë në dyqane.

    Paraja e gatshme vazhdon të jetë e përhapur edhe në rajon, ndonëse përdorimi i saj është në rënie. Serbia kryeson në Ballkanin Perëndimor për sa i përket adoptimit të pagesave pa para fizike.

    Ndërkaq, Shqipëria synon që deri në fund të vitit 2030 t’i bëjë të gjitha transaksionet financiare në formë digjitale.

    Atje, tashmë ka filluar një nismë kombëtare që synon të rrisë përdorimin e pagesave digjitale nga qytetarët dhe bizneset, duke ndërtuar një infrastrukturë moderne, të sigurt dhe funksionale.

    Nga Rubrika
    Sport03 Mars 2026
    Mërgim Vojvoda ka humbur një mundësi të artë të kalonte Comon në epërsi ndaj Interit, në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Mbrojtësi...
    Sport03 Mars 2026
    Barcelona ka synim që sonte ta bëjë “të pamundurën, të mundur”, në përballje me Atletico Madridin. Në ndeshjen që luhet sonte me...
    Sport03 Mars 2026
    Real Madridi pësoi humbjen e katërt nën drejtimin e Alvaro Arbeloa kundër Getafes të hënën mbrëma, një rezultat që i lë “Los...
    Të tjera
    Lajme03 Mars 2026
    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se i ka thënë Bedri Hamzës se nëse kandidon për President,...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Marina e SHBA-së do të fillojë shumë shpejt të shoqërojë cisternat që kalojnë nëpër Ngushtica...
    Lajme03 Mars 2026
    Kreu AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi se një numër i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë premtuar votën nëse ai do të kandidojë...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Asambleja e Ekspertëve të Iranit këtë të marte ka zgjedhur liderin e ri suprem të vendit. Mediat iraniane raportojnë se lideri i ri është...
    Vip03 Mars 2026
    Rogerti është kthyer në shtëpinë e Big Brother VIP Albania. Pasi u përplas me Monika Kryemadhin për sjelljen e tij, Rogerti vullnetarisht...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka konfirmuar se një dron ka goditur një parking në afërsi të Konsullatës Amerikane në Dubai,...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.