Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë reaguar pas bastistjeve që ka kryer sot Zyra e Prokurorit të Specializuar në disa lokacione në Prishtinë. Në mesin e lokacioneve që është bastisur është edhe shtëpia e Jakup Krasniqit, një prej figurave kryesore të UÇK’së.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, këto organizata kanë thënë se janë duke punuar me deputetët e Kuvendit të Kosovës që skadimin e mandatit të kësaj gjykate ta dërgojnë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
“Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, reagojnë ndaj spektakleve që bëhen me anë të bastisjeve të pjesëtarëve të UÇK-së dhe konsiderojnë se çdo veprim i Gjykatës Speciale, jashtë mandatit të saj, është i kundërligjshëm dhe kundërkushtetues. Ne si Organizata jemi duke punuar me deputetët e Kuvendit të Kosovës që skadimin e mandatit të kësaj gjykate ta dërgojmë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në komunikatë.