Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka kërkuar që ta marrë fjalën në Kuvend për të folur pak lidhur me një çështje jashtë rendit të ditës. Ajo ka zgjedhur që të bëjë apel për drejtësi dhe llogaridhënie për 11-vjeçarin Kujtim Veseli, i cili para një viti u përdhunua dhe dhe u vra.
Në këtë rast, Osmani tha se ka dështuar shteti në mënyrë sistematike, pasi sipas saj, ky krim ka qenë i parandalueshëm. Osmani ka vlerësuar se kjo është pasojë e racizmit të shumicës ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
“Është dëshmi se si të gjithë ne si shtet dhe si shoqëri kemi dështuar ta dënojmë dhe luftojmë sa duhet racizmin ndaj komuniteve rom, ashkali dhe egjiptian… Në rastin e Kujtimit dështoi shteti në mbrojtjen e tij. Dështuam në mënyrë sistematike për ta parandaluar keqtrajtimin dhe vrasjen e Kujtimit. Dhunimi seksual dhe vrasja e Kujtim Veselit kanë qenë të parandalueshme. Këtë e ka konstatuar edhe Avokati i Popullit në raportin e publikuar enkas për këtë rast”, ka thënë Osmani.
Më 11 korrik të vitit 2019, poshtë shkallëve të një kompleksi banesor në lagjen ‘Xhemail Mustafa’ të Fushës Kosovës, ishte gjetur i vdekur 11-vjeçari Kujtim Veseli.
Ai dyshohet se u dhunua seksualisht dhe pastaj u vra nga një person derisa po kërkonte kanaçe në rrugët e këtij qyteti.