Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur në takim sot kryetarin e KQZ’së, Kreshnik Radoniqi, me të cilin kanë diskutuar për përgatitjet për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Në funksion të garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi për të diskutuar rreth përgatitjeve për procesin zgjedhor për zgjedhjet e rregullta parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025.”
Osmani në takim ka theksuar rëndësinë që procesi zgjedhor të jetë një proces i drejtë, transparent, me integritet, dhe i bazuar në Kushtetutë dhe ligj.
Ndërsa në anën tjetër, Radoniqi e ka njoftuar Osmanin për përgatitjet e KQZ’së për administrimin e zgjedhjeve.
“Z. Radoniqi e njoftoi Presidenten për përgatitjet që KQZ-ja po bën lidhur me administrimin e zgjedhjeve, në mënyrë që të gjithë qytetarët të mund të ushtrojnë të drejtën e votës, në një proces zgjedhor të ligjshëm dhe transparent.”