×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani: Sul’met hibride përbëjnë sfida reale për stabilitetin kombëtar

    FrontOnline
    30 Janar 2025

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje të enjten për forcim të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, dhe ka vlerësuar se sulmet hibride përbëjnë sfida reale për stabilitetin kombëtar.

    Ajo i ka bërë këto deklarata në një konferencë të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes me temën për qëndrueshmërinë kombëtare.

    “Sulmet hibride, që përfshijnë edhe operacione të kombinuara kibernetike, ushtarake, ekonomike dhe informative, më mirë të them dezinformative në këtë rast, janë sfida reale për stabilitetin tonë kombëtar”, ka thënë Osmani, duke bërë thirrje për trajnim ekspertësh dhe bashkëpunim me partnerët strategjikë për ndërtim të kapaciteteve për të garantuar mbrojtje.

    “Zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, sipas standardeve më të larta të NATO-s, mbetet prioriteti ynë strategjik e kombëtar”, ka thënë Osmani, duke përmendur se investimi në armatim, personel ushtarak dhe mirëqenien e tyre është jetik, ashtu sikurse investimi në institucione tjera të sigurisë.

    Ajo ka përmendur edhe sigurinë energjetike si shumë të rëndësishme për sigurinë kombëtare.

    “Shteti ynë duhet të investojë në përmirësim të infrastrukturës kritike dhe zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme, me theks të veçantë në sigurinë energjetike dhe mbrojtjen e sistemeve të rëndësishme”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova vazhdon që t’i bashkërendojë të gjitha përpjekjet e saj në drejtim të anëtarësimit në NATO.

    “Ne nuk synojmë vetëm të përfitojmë nga aleancat, por edhe të kontribuojmë në to”.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka përmendur se përveç qëndrueshmërisë ushtarake, në epokën e avancimit të teknologjisë, rezistenca kibernetike është parësore.

    “Sulmet kibernetike nuk njohin kufij dhe mund të destabilizojnë qeveritë, ekonomitë, dhe sistemet e infrastrukturës kritike. Ndërtimi i rrjeteve të sigurta dhe aftësia për rimëkëmbje të shpejtë duhet të jetë prioritet i çdo strategjie”, ka thënë ai.

    Zyrtarët e Kosovës përmendin vazhdimisht se synojnë anëtarësimin e vendit në këtë NATO, ndonëse janë të vetëdijshëm se anëtarësimit në këtë aleancë veri-atlantike duhet t’i paraprijë përfshirja e Kosovës në programin e aleancës, Partneriteti për Paqe.

    Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.

    Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës në këtë program, ndonëse kanë rikujtuar se për një vendim të tillë kërkohet pajtimi i të gjitha vendeve anëtare.

    Forcat e NATO-s janë të pranishme në Kosovë qysh në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe.

    Kosova kufizohet me tri shtete anëtare të NATO-s: Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

    Në radhët e NATO-s janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia./REL/

    Nga Rubrika
    Lajme20 Shkurt 2025
    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri tani është përmbyllur numërimi i votave në 35...
    Lajme20 Shkurt 2025
    Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, degët në Pejë, kanë akuzuar njëra-tjetrën për sulme verbale dhe provokime mes komisionerëve të tyre....
    Lajme20 Shkurt 2025
    Për të premten parashikohet të mbajë mot me diell dhe me acar të fortë në orët e mëngjesit. Era do të fryjë...
    Të tjera
    Lajme20 Shkurt 2025
    Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka bërë thirrje për bashkëpunim mes partive politike për të shmangur një krizë qeveritare pas zgjedhjeve....
    Lajme20 Shkurt 2025
    Eugen Cakolli nga ‘Demokracia në Veprim”, ka treguar sa deputetë do të kenë partitë politike pas numërimit të votave të deputetëve. Ai...
    Lajme20 Shkurt 2025
    Kryetari i Nisma-s, Fatmir Limaj u shpreh se llogaridhënia ndaj Vetëvendosjes, përkthyer me vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, është shumë pak....
    Lajme20 Shkurt 2025
    Gazetari dhe analisti Lavdim Hamidi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se niveli i Kuvendit të Kosovës sot është më i dobët...
    Lajme20 Shkurt 2025
    Drita Millaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur se me vetëdije të plotë e ka ditur se do të ishte e...
    Lajme20 Shkurt 2025
    Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka siguruar mandatin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, por ka konfirmuar se nuk do të jetë...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.