U.d e presidentit, Vjosa Osmani ka reaguar pas zgjedhjeve në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut.
Osmani përmes një komunikate drejtuar mediave ka thënë se Republika e Kosovës dëshmoi se është e aftë të organizojë zgjedhje të lira, fer e demokratike, nëpërmjet të cilave qytetarët duke votuar, treguan se e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur janë bazament i demokracisë dhe respektimit të lirive politike!
“I uroj të gjithë qytetarët e Podujevës dhe ata të Mitrovicës së Veriut për maturinë e treguar gjatë tërë këtij procesi, përkundër faktit se u realizua në kohë pandemie. Përgëzoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjithë të angazhuarit e tjerë për punën dhe angazhimin e madh me të cilin u arrit organizimi i zgjedhjeve sipas standardeve demokratike. Falënderoj poashtu përfaqësuesit e shoqërisë civile për angazhimin në vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve si dhe mediat për raportimin nga këto dy komuna”, ka thënë Osmani.