Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për emisionin “Përballje”, ka folur për punën e deritashme të Qeverisë Hoti.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Qeveria po sillet me arrogancë, duke shtuar se me kryeministrin Avdullah Hoti nuk kanë zhvilluar asnjë takim që nga marrja e mandatit nga ky i fundit.
Osmani gjatë intervistës për “Përballje”, ka thënë se Qeveria nuk mund të sillet me arrogancë, por që duhet të ofrojë shembull të bashkëpunimit.
“Qeveria nuk mund të sillet më një arrogancë, nuk mund të sillet keq me njerëzit, votën e të cilëve e kërkon. Por, duhet të ulesh dhe të ofrosh shembull të bashkëpunimit, të diskutosh edhe me deputetë që nuk e kanë votuar më parë. Të diskutosh me deputetë që nuk janë fare në koalicion qeverisës. Të diskutosh me partitë opozitare, për një temë kaq të rëndësime si për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Shpërfillje, injorancë e paparë më herët. Nuk e kanë vetëm me mua, por e kanë një qasje pak a shumë me të gjithë”, deklaroi ajo.