U.d. Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, transmeton Front Online.
Të dy kanë vlerësuar raportin e mirë ndërfqinjësore dhe kanë shprehur përkushtimin që ato të avancohen edhe më tej.
“Z.Grubi ka uruar u.d. Presidenten Osmani për suksesin në zgjedhjet e 14 shkurtit. Ai e ka njoftuar zonjën Osmani për ecurinë e procesit të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni të Veriut dhe ka potencuar rëndësinë e përfshirjes sa më të madhe të Mërgatës shqiptare.
Në këtë kontekst zonja Osmani ka mbështetur këtë proces duke kërkuar nga Mërgata që t`i përgjigjet masivisht regjistrimit të popullsisë në Maqedoni të Veriut. Sipas saj, përtej aspektit statistikor, ky regjistrim do të jetë përmbajtësor në avancimin e të drejtave qytetare të shqiptarëve”, thuhet në komunikaten e dërguar nga zyra e presidentes.
“Në takim u diskutua edhe për sfidat në menaxhimin e pandemisë Covid-19 dhe përpjekjeve të të dy shteteve për sigurimin e vaksinave anticovid.
U përmend se ndërmjet të të dy shteteve deri tashti ekzistojnë 19 draft marrëveshje, të cilat do të mund të shqyrtohen me krijimin e institucioneve të reja në Kosovë”.