Kryetarja e Kuvendit njëherësh UD. e presidentit, Vjosa Osmani, me rastin e ditëlindjes së presidentit historik, Ibrahim Rugova, ka kujtuar liderin historik të kësaj partie.
Osmani së bashku me bashkëpunëtorët ka bërë homazhe tek varri i tij.
“Tri postulatet e tij na dëshmojnë e rikujtojnë se pavarësia është e plotë nëse janë të plota liritë njerëzore, se liria është e përhershme dhe e qëndrueshme vetëm nëse shoqëria është demokratike dhe e përkushtuar ndaj vlerave të saj dhe nëse respektohet rendi dhe ligji e nuk bashkëpunohet me krimin” shkruan Osmani në Facebook.
Postimi i plotë:
Në ditëlindjen e themeltarit të shtetit, Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, kujtuam personalitetin e jashtëzakonshëm historik, dijetarin e shquar të Kosovës e politikanin humanist, vizioni i të cilit i parapriu shtetësisë së Kosovës. Tri postulatet e tij na dëshmojnë e rikujtojnë se pavarësia është e plotë nëse janë të plota liritë njerëzore, se liria është e përhershme dhe e qëndrueshme vetëm nëse shoqëria është demokratike dhe e përkushtuar ndaj vlerave të saj dhe nëse respektohet rendi dhe ligji e nuk bashkëpunohet me krimin. I përjetshëm kujtimi për të.