Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të saj vjetor në Kuvend ka përmendur edhe sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë.
Ajo ka thënë atë ditë rreshteri i ndjerë Afrim Bunjaku bashkë me kolegët e tij në Polici i kanë treguar Serbisë që Kosova nuk ka asnjë pëllëmbë toke për të falur.
“Përpjekjet e Serbisë dhe përkrahësve të saj në Kremlin për ta minuar stabilitetin e brendshëm dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, sa vijnë e shtohen e po kështu shtohet përkushtimi dhe mobilizimi ynë për t’i parandaluar ato. 24 shtatori i vitit 2023, mëngjesi fatal në Banjskë për shkak të aktit të agresionit të Serbisë, ishte dëshmia më e qartë e kësaj. Atë mëngjes, heroi ynë, Afrim Bunjaku me shokë, i treguan Serbisë dhe gjithë dashakeqëve se Kosova nuk ka asnjë pëllëmbë për të falur dhe se mbrojtja es shtetit tonë është betimi ynë i përjetshëm. Ende, 424 ditë më pas, nuk ka llogaridhënie e as drejtësi nga ana e Serbisë.”
Ajo tha se Serbia po vazhdon të minojë përpjekjet e vendeve të rajonit për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.
“Serbia vazhdon minimin e përpjekjeve të vendeve tjera të rajonit për paqe, siguri e stabilitet të qëndrueshëm në rajon, duke i shërbyer agjendës së Rusisë së Putinit, me format më perfide të luftës hibride, në mbajtjen e tensioneve të vazhdueshme e duke synuar shkatërrimin e vendeve fqinje.”
“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj qëndrojnë dhe do të qëndrojnë fuqishëm mbi vlerat e lirisë, paqes, demokracisë, përderisa institucionet tona vendore të sigurisë dhe mbrojtjes janë të përkushtuara maksimalisht që në bashkëpunim të plotë me aleatët tanë të sigurisë, të mbrojnë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror, si dhe të sigurojnë zbatimin e kushtetutës dhe ligjeve e të mbrojnë jetën, pronën, lirinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim.