Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e ka përshëndetur zyrtarizimin e njohjes së ndërsjellë Kosovë-Izrael, që do të bëhet sot në një ceremoni virtuale.
Osmani, përmes një komunikate për media, tha se marrëdhëniet mes popullit të Kosovës dhe atij të Izraelit kanë qenë historikisht të fuqishme.
“U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës. Dr.Vjosa Osmani përshëndetë aktin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Izraelit, ceremoni kjo që pritet të mbahet sot. Marrëdhëniet ndërmjet dy popujve tanë kanë qenë historikisht të fuqishme e të bazuara në solidaritet dhe miqësi. Akti i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike hapë rrugën për thellimin e bashkëpunimit dypalësh ndërinstitucional si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Njohja e Kosovës nga Izraeli erdhi si pjesë e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga administrata Trump në shtator. Marrëveshja përfshinte gjithashtu normalizimin midis Izraelit dhe Kosovës dhe që të Kosova dhe Serbia të hapnin ambasadat e tyre në Jeruzalem.
Kosova do të ishte vendi i parë me shumicë myslimane që do ta vendosjte ambasadën e saj në Izrael në Jeruzalem, dhe bashkë me Serbinë do të ishin vendet e para evropiane që e bëjnë këtë. Deri tani, vetëm SHBA-ja dhe Guatemala kanë ambasadat e tyre në Jeruzalem. Shumica e vendeve kanë zgjedhur t’i vendosin dhe t’i mbajnë ambasadat e tyre në Tel Aviv.