Ushtruesja e detyrës së presidentit Vjosa Osmani, ka kujtuar në përvjetorin e 17-të të vrasjes, policët Sebahate Tolajt e Isuf Haklajt.
“Beteja për shtet të së drejtës është beteja më e vështirë. Ajo bëhet veçanërisht e vështirë kur goditen garantuesit e saj, policët, sepse kështu përcillet mesazhi i pafuqisë së shtetit për t’i garantuar liritë qytetare e veprimin efikas të institucioneve. Vrasja e Sebahate Tolajt e Isuf Haklajt këtu e 17 vjet më parë është njëra ndër goditjet më të mëdha që iu dha shtetit të së drejtës, por e cila nuk e frenoi dot ëndrrën tonë për shtet, së pari, dhe për shtet të së drejtës, së dyti. Dhe nuk do të frenojë asnjeherë kërkesën për drejtësi per Sebahaten e Isufin”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.
Osmani thotë se vrasja e tyre është njëra ndër goditjet më të mëdha që iu dha shtetit të së drejtës.
“Guximi dhe vendosmëria e tyre qëndrojnë në themelet e ëndrrës sonë për shtet ligjor dhe shembulli që duhet ndjekur se si duhet atdheu. I përjetshëm kujtimi për ta!”, ka shkruar ndër të tjera ajo.
Atentati ndaj tyre është kryer më 24 nëntor të vitit 2003. Sabahate Tolaj kishte ndërruar jetë të nesërmen, ndërsa Isuf Haklaj katër ditë me vonë.