“Asnjëherë nuk e kemi thënë se do të ulemi dhe do të lidhim koalicion me Listën Serbe”.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka thënë se kryetari i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, as në ëndrrën më të mirë të tij nuk do t’i sigurojë 30 nënshkrime për t’u kandiduar për president të vendit.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ajo ka theksuar se qëllimi i listës së përbashkët më Lëvizjen Vetëvendosje është që t’i sigurojnë mbi 60 ulëse në Kuvend.
“Haradinaj nuk është kandidat për president sepse nuk i ka 30 nënshkrime për t’u kandiduar. Ata [AAK] edhe në ëndrrat e tyre më të mira do t’i kenë 20 nënshkrime”.
“Ajo çfarë mund të garantoj është që unë do të bashkëpunoj edhe me zotin Haradinaj edhe me të tjerët për çdo proces. Ne do t’i kemi 2/3 e votave në Kuvend. Qëllimi jonë është që t’i marrim mbi 60 deputetë”.
“Ne mendojmë se do ta marrim shumicën dërrmuese të votave në Kuvend. Përshtypja nga terreni është kjo”.
E pyetur se a do t’i kërkojnë edhe votat e Listës Serbe për ta formuar Qeverinë, ajo ka thënë se asnjëherë nuk është diskutuar për një gjë të tillë.
“Ne synojmë që t’i kemi më shumë se 61 deputetë – janë edhe 10 vota të deputetëve jo-serbë të cilët do të jenë pjesë e qeverisjes së ardhshme. Pastaj do të bisedojmë me të gjithë deputetët e partive shqiptare”.
“Ne asnjëherë nuk e kemi diskutuar për një gjë të tillë, asnjëherë nuk e kemi thënë se do të ulemi dhe do të lidhim koalicion me Listën Serbe”.