Vjosa Osmani, kandidatja për presidente është deklaruar pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
Osmani ka thënë se kërkohet që të jenë prezent 2/3 e deputetëve në sallë në momentin e votimit për president. Ajo ka shtuar se kërkon mbështetje prej ish-kolegëve.
“Natyrisht që unë pres mbështetje prej ish-kolegëve të mi, por edhe prej të gjithë deputetëve të Kosovës. Është në interes të vendit tonë që të bëjmë konstituimin e institucioneve sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që të tria institucionet të jenë funksionale dhe jam e bindur që të gjithë e kemi qëllimin e përbashkët e ai është që të çojmë Kosovën përpara”, ka thënë Osmani.
Osmani po ashtu ka thënë se është e gatshme që të ulet dhe të diskutoj me të gjitha partitë politike.
“LDK-ja ka propozuar që të mbajmë këtë takim që është arsyeja pse e mbajtëm sot. Natyrisht se unë jam e gatshme që me të gjitha partitë politike të ulem dhe ta diskutoj në detaje këtë platformë presidenciale, por edhe me deputetë individual në qoftëse ka interesim nga ta. Shpresoj që shumë shpejt të shkojmë në parlament dhe ta konstituojmë edhe institucionin e tretë që të përkrahjet kjo qasje e imja për një institucion të presidentit që garanton funksionimin kushtetues dhe mbron integritetin e institucioneve tona, mbron Republikën e Kosovës dhe potencialin e saj. Pastaj kur konstituohen të tri institucionet do të jetë shumë më e lehtë që të ecim përpara me ide të mira për vendin tonë”, ka thënë Osmani.