×
  • Tenderët
  • Tenderët

    OSHP jofunksionale që një vit, vlera e tenderëve të bllokuar mbi 300 milionë euro

    FrontOnline
    29 Mars 2022

    Që nga 30 prilli i vitit të kaluar Sadik Krapi, përfaqësues i kompanisë “EUROBESI SHPK”, nuk ka marrë përgjigje nga Organi Shqyrtues i Prokurimit për një ankesë që ka bërë në këtë të fundit.

    Ankesa e tij ka të bëjë me eliminimin nga gara për tenderin “Ndërtimi i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Gjakovës”.

    Krapi, për FrontOnline thotë se arsyeja që nuk ka marrë ende përgjigje është mos funksionalizimi i bordit të OSHP-së.

    “Nuk kemi marrë asnjë përgjigje, për shkak që OSHP-ja nuk funksionon. Vetëm herë pas here kërkojnë me pagua sigurimin, me vazhduar sigurimin edhe për një kohë edhe për një kohë dhe po bëhet një vit që nuk kemi asnjë përgjigje”, ka thënë Krapi për FrontOnline.

    Thotë se të njëjtin problem e kanë edhe për një lëndë tjetër.

    “Nuk kemi përgjigje, bile bile e kemi edhe një lëndë tjetër për një objekt tjetër, e njëjta gjë është vetëm heshtje totalisht nuk ka asgjë. S’ka përgjigje se s’ka bord e deri sa të funksionalizohet OSHP-ja nuk mundemi me pas përgjigje”, është shprehur ai, për FrontOnline.

    OSHP-ja: 695 tenderë me vlerë mbi 200 milionë euro janë të bllokuara

    Nga 31 marsi i vitit të kaluar e deri më tani janë gjithsej 695 tenderë në vlerë prej mbi 200 milionë euro, të cilët janë bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

    Shkak për grumbullimin e këtyre ankesave është mos funksionalizimi i bordit të këtij institucioni që një vit, shkruan FrontOnline.

    “OSHP për periudhën që funksionojmë pa bord vlera e tenderëve tejkalon shumën mbi 200,000,000.00 €. Për vitin 2021 kanë mbetur pa vendim të bordit gjithsej 626 ankesa si dhe në vitin 2022 i kemi pranuar 69 ankesa të tjera”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së, për FrontOnline.

    Të pyetur se sa është numri i komunave të vendit që kanë aktivitete të bllokuara, në OSHP kanë deklaruar se janë mbi 30 të tilla.

    “OSHP ju njofton se për vitin 2021 ka pasur ankesa për 21 komuna, kurse në vitin 2022 ka pasuar ankesa për 15 komuna”, thuhet më tutje në përgjigjen e OSHP-së, për FrontOnline.

     

    INPO: Mbi 300 milionë euro janë të bllokuara si pasojë e mos funksionimit të OSHP-së

    Por, shifra të tjera japin nga organizata joqeveritare Iniciativa për Progres(INPO).

    Qëndrim Arifi, hulumtues i lartë në INPO, thotë për FrontOnline se kjo është periudha më e gjatë që kur ky organ është totalisht jofunksional dhe se kjo po shkakton pasoja të shumta.

    Kjo nuk është hera e parë që Gjykata e Tenderëve jetë pa bord.

    Ngjashëm kishte ndodhur edhe në vitin 2016 dhe në vitet 2013/14.

    Bllokada 7 muajshe ishte bërë shkak i grumbullimit të një numri të madh ankesash, raporton Front Online.

    Si ato të 2016-s si ato të 2013/14-s nuk u trajtuan fare nga bordet që erdhën, ani se kishte tenderë që ishin nënshkruar jashtëligjshëm.

    Arifi, për FrontOnline, thotë se që nga marsi i vitit të kaluar e deri në janar të këtij viti vlera e aktiviteteve të pezulluara në OSHP kap shifrën mbi 300 milionë euro.

    “Gjatë periudhës mars 2021 – janar 2022 në këtë organ janë parashtruar gjithsej 607 ankesa, ndërsa vlera e parashikuar e aktiviteteve  të prokurimit të pezulluara si pasojë e ankesave në OShP është mbi 313 milion euro. Kjo shifër përpos që shpërfaqë interesat financiare të Operatorëve Ekonomik(OE) ankues apo OE-ve në procedurë për zhvillim të biznesit të tyre,  po ashtu shpërfaqë bllokadën e implementimit të aktiviteteve të prokurimit nga ana e Autoritetit Kontraktues (AK), që një pjesë e madhe e tyre janë projekte kapitale, që kanë impakt të drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, ka deklaruar Arifi për FrontOnline.

    Aktualisht Organi Shqyrtues i Prokurimit pa bord funksional është duke funksionuar vetëm me sekretariat, i cili përveç administrimit të ankesave dhe caktimit të ekspertëve shqyrtues nuk ka ndonjë kompetencë tjetër lidhur me shqyrtimin e ankesave.

    Mos funksionalizimi i bordit të OSHP-së, po sjellë edhe pasoja të tjera.

    Arifi thotë se si shkak i kësaj, AK-të, janë duke përdorur procedurën e negociuar e që është procedura më jo transparente.

    Si pasojë e mos funksionalitetit të OShP-së, AK-të janë duke përdorur procedurën e negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, përkatësisht procedurën më jo transparente dhe në kundërshtim me lirinë e tregut, me pretekstin e bllokimit të aktiviteteve në OShP, ani pse ky bllokim vije edhe si pasojë e mosveprimit të AK-ve”, është shprehur ai.

    Madje Arifi thekson se të gjeturat e hulumtimit të INPO-së tregojnë se 27 komuna kanë aktivitete të bllokuara në OSHP.

    “INPO për secilën komunë e cila ka aktivitete të bllokuara si pasojë e mungesës së vendimmarrjes në OShP ka evidentuar nga një aktivitet të rëndësishëm i cili ka mbetur i pa realizuar. Të dhënat e hulumtimit tregojnë se 27 komuna kanë aktivitete të bllokuara në OShP, ndërsa vlera totale e parashikuar e vetëm nga një aktiviteti të bllokuar për secilën komunë kap shifrën e mbi 13 milionë euro”, ka pohuar Arifi, për FrontOnline.

     

    Metushi, KDI: Për mos zgjedhjen e anëtarëve të bordit të OSHP-së faji i bie direkt Qeverisë

    Njohësja e prokurimit publik në Institutin Demokratik të Kosovës, Diana Metushi, fajin për mos emërimin e anëtarëve të bordit të OSHP-së, ia hedh direkt Qeverisë.

    Sa i përket vonesave faji bjen direkt te Qeveria që nuk i përzgjedh dhe nuk i shtyn përpara emrat qysh duhet. Nuk e di sepse nuk varet prej neve, nuk janë pritshmëritë tona. Nëse Qeveria i prezanton emrat e mirë dhe me kredibilitet nuk ka arsye që Kuvendi mos me i aprovua sidomos pasi t’i kalojnë të gjitha proceset e intervistimit sepse aty janë të përzgjedhur prej Qeverisë, mirëpo është komisioni i KGJK-së, që i vlerëson edhe nuk është dashtë që kur të dalim në Kuvend me pas probleme, mirëpo kur po niset procesi me mëdyshje po përfundon tani me dështim”, është shprehur Metushi, për FrontOnline.

    Ajo thotë se KDI më 7 mars u ka dërguar letër të gjitha Autoriteteve Kontraktuese të procedojnë tutje me aktivitetet e prokurimit të cilat janë bllokuar me ankesa në OSHP.

    Sipas saj, procedimi tutje e ka bazën ligjore në nenin 135, paragrafi 1 të Ligjit për Procedurë të Përgjithshme Administrative, i cili thotë se afati i përgjithshëm i zbatueshëm për përfundimin e procedurës administrative është tridhjetë (30) ditë nga fillimi i saj.

     

    Shala i PDK-së: Janë bllokuar mbi 200 milionë euro në OSHP

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit anëtar i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, thotë se me mos funksionalizimin e këtij bordi pasojat janë të mëdha.

    Sipas tij, janë mbi 200 milionë euro të cilat janë të bllokuara dhe si pasojë e kësaj projektet nuk janë duke u zhvilluar.

    Janë mbi 200 milionë euro me sa di unë mund të jenë edhe më shumë, por jo më pak edhe të cilat faktikisht në mungesë të këtij organi shqyrtues janë të bllokuara mjetet. Pasojat janë jashtëzakonisht të mëdha për faktin që ndërmarrjet të cilat kanë planifiku të realizojnë projektet e tyre kapitale për interes infrastrukturor sot janë në pamundësi për ti realizuar ato sepse mjetet janë të bllokuara nga ky organ, nuk ka vendimmarrje të ligjshmërisë apo paligjshmërisë dhe intenca për të bllokuar këto reflekton drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit për faktin se tashmë nuk kemi projekte duke u zhvilluar”, ka deklaruar Shala, për FrontOnline.

    Shala, përmend edhe një çështje tjetër.

    Ai thotë se dëmi tjetër më i madh është se tashmë kanë ndryshuar edhe çmimet e materialeve, dhe se kjo po bëhet edhe problem më i madh për kompanitë ofertuese.

    “Në realitet është kriju një situatë e paqenë, jashtëzakonisht delikate dhe kompanitë të cilat kanë nënshkrua kontrata para 6 apo 7 muajve sot e kanë të pamundur pa humbje të mëdha t’i realizojnë këto projekte, e që në kuptim të kësaj qeveria është jashtëzakonisht inerte , pasive, inferiore dhe pothuajse jashtë sistemit i ka lënë gjithë këto operatorë dhe gjitha këto kontrata të cilat mund të përfundojnë edhe në gjykata ose mos të realizohen asnjëherë”, është shprehur Shala.

     

    Bunjaku e LDK-së: Kurti për t’i favorizuar sponzorizuesit nuk po i emëron anëtarët e bordit të OSHP-së

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, thotë se Qeveria Kurti nuk po i emëron anëtarët e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, për shkak se dëshiron t’i shpërblejë sponzorizuesit e saj.

    “Procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Bordit të OSHP-së tash e sa kohë nuk është kryer. Në pamundësi që qeveria Kurti t’i përzgjedh emrat e tyre të preferuar, ky organ ende është pa bord. Njëkohësisht si duket kjo u përshtatet atyre duku u mundësuar që t’i shpërblejë sponsorizuesit e tyre përmes tenderëve njëburimorë”, ka deklaruar Bunjaku për FrontOnline.

    Sipas saj, zvarritja e këtij procesi dëmton rëndë mbarëvajtjen e ankesave të bizneseve tjera që konsiderojnë se janë të eliminuara nga konkurrenca e mirëfilltë.

    Ndërkaq më 9 mars të këtij viti, Qeveria e Kosovës i ka propozuar Kuvendit të Kosovës kandidatët për kryetarë dhe anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tregoi se komisioni vlerësues ishte i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar për OSHP, rrjedhimisht, sipas tij kanë përdorur diskrecionin e përzgjedhjes së kandidatëve.

    “Komisioni ishte tepër i pakënaqur me kandidatë që kanë aplikuar, qoftë në kuptim të përvojës profesionale dhe profesionalizmit në përgatitjen e kandidaturës. Në këtë kuptim komisioni i ka rekomanduar qeverisë të përdorë diskrecion në përzgjedhjen e kandidatëve sipas të drejtës që i takon në bazë të Ligjit për Prokurimin Publik”, theksoi Kurti.

    Kandidatët e votuar nga ekzekutivi për bordin e OShP-së, janë: Nita Bejta, Milot Spahiu, Arbnor Tmava, Vedat Peterqoj, Faruk Rexhaj, Bujar Lushaku, Batisha Ibrahimi, Dafina Gashi, Vjosa Menxhuani dhe Kimete Gashi.

    Emrat e propozuar nga Qeveria, para se të shkojnë në Kuvend duhet të kalojnë edhe filtrat e tre gjyqtarëve të Gjykatës Supreme.

    Komisioni profesional britanik nuk do të jap sugjerime për këta kandidatë, pasi është tërhequr nga ky proces me arsyetimin se konkursi paraprak kishte përfunduar me sukses.

    Më 6 dhjetor të vitit të kaluar Kuvendi i Kosovës më 2 vota për, 64 kundër dhe 1 abstenim, nuk arriti të emërojë kryetarin dhe 4 anëtarët e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

    Kjo pikë nuk kishte arritur të kalojë as më 23 nëntor si shkak i mungesës së kuorumit./FrontOnline

     

     

     

     

     

     

    Nga Rubrika
    Auto18 Dhjetor 2024
    Gazeta gjermane e biznesit Handelsblatt shkruan se Volkswagen po shqyrton lëvizjen e prodhimit të modelit Golf nga Wolfsburg në Meksikë, duke cituar...
    Lajme18 Dhjetor 2024
    Komuna e Kamenicës që udhëhiqet nga Kadri Rahimaj i Lëvizjes Vetëvendosjes ka shpërblyer me tender gati 2 milionësh konsorciumium “El-Bau” & “Eing...
    Lajme21 Nëntor 2024
    Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka shpallur sot tenderin 56 milionësh ndërtimin dhe rindërtimin e stadiumeve në Ferizaj, në Pejë, në...
    Të tjera
    Vip25 Dhjetor 2024
    Një dron ka arritur në hapësirat e shtëpisë më të famshme në vend. Kësaj radhe pati një mesazh për Laurentin dhe Fitimin,...
    Lajme25 Dhjetor 2024
    Kryetarja e Komitetit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se Lista Serbe, në masë të madhe, është...
    Lajme25 Dhjetor 2024
    Vetëm një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se grupe terroriste po planifikojnë sulme të tjera në Kosovë gjatë festave të...
    Lajme25 Dhjetor 2024
    Nasim Haradinaj ka folur për vdekjen e vëllait të tij, Agronit, për të cilin tha se Specialja nuk i dha leje të...
    Lajme25 Dhjetor 2024
    Një mërgimtar teksa nuk i kursente duartrokitjet për kryeministrit Albin Kurti, pati edhe ankesa për rrymë. Mërgimtari i cili kishte ardhur qe...
    Lajme25 Dhjetor 2024
    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Doarsa Kica Xhelili, ka deklaruar se vetingu duhet të bëhet. Sipas saj, kjo temë duhet të...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.