Organizata e OKB-së që ndihmon në hetimin e krimeve më të rënda në Siri ka thënë të hënën se autoritetet e reja të vendit ishin “shumë pranuese” ndaj kërkesës së saj për bashkëpunim gjatë një vizite të sapopërfunduar në Damask.
Vizita e udhëhequr nga Robert Petit, kreu i Mekanizmit Ndërkombëtar, të Paanshëm dhe të Pavarur për Sirinë, ishte e para që nga themelimi i organizatës nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2016. Ajo u krijua për të ndihmuar në mbledhjen e provave dhe ndjekjen penale të individëve përgjegjës për krime të mundshme lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, që nga fillimi i luftës civile në Siri në 2011, raporton AP.
Petit theksoi urgjencën e ruajtjes së dokumenteve dhe provave të tjera përpara se ato të humbasin.
Që nga përmbysja e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad nga rebelët dhe hapja e burgjeve dhe objekteve të paraburgimit nga rebelët, ka pasur kërkesa në rritje nga sirianët për ndjekjen penale të atyre që janë përgjegjës për mizoritë dhe vrasjet gjatë kohës që ai ishte në pushtet.
“Rënia e sundimit të Assadit është një mundësi e rëndësishme për ne që të përmbushim mandatin tonë në terren. Koha po ikën. Ekziston një dritare e vogël mundësie për të siguruar këto vende dhe materialin që ata mbajnë”, ka deklaruar Petit.
Në qershor të vitit 2023, Asambleja e Përgjithshme prej 193 anëtarësh krijoi gjithashtu një Institucion të Pavarur të Personave të Zhdukur në Republikën Arabe të Sirisë për të sqaruar fatin dhe vendndodhjen e më shumë se 130,000 personave të zhdukur si rezultat i konfliktit.