
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA është shprehur jashtëzakonisht e shqetësuar me vendimin e fundit të ministres së Arsimit, Hykmete Bajrami, e cila ka emëruar 3 anëtarë të rinj në Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës.
Së pari, sipas ORCA-s, shkarkimi i anëtarëve të deritashëm dhe emërimi i anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues vjen në mes të procesit zgjedhor të Universitetit, ku pritet që brenda një muaji të zgjidhet rektori/ja i/e Universitetit të Prishtinës. Së dyti, gjithnjë sipas kësaj organizate, dy anëtarë të emëruar nga ministrja, Fisnik Reçica dhe Mentor Geci, figurojnë si punëtorë në dy kolegje private, në kolegjin RIINVEST, respektivisht në kolegjin UBT.
Këto të dhëna ORCA thotë t’i ketë siguruar nga profilet e tyre profesionale (LinkedIn).
“Ky veprim përbën konflikt të hapur të interesit, përmes të cilit punëtorë të kolegjeve private do ta drejtojnë Universitetin publik, i cili shihet si rivali kryesor i kolegjeve private në biznesin e tyre. Për më tepër, anëtarët e Këshillit Drejtues kanë qasje në secilin informacion konfidencial të mundshëm të Universitetit të Prishtinës, duke përfshirë planifikimet e mundshme për të konkurruar me të gjitha institucionet tjera të arsimit të lartë, publike e private. Vendosja në krye të Universitetit e njerëzve që rrogën primare e marrin në institucionet konkurrente private të arsimit të lartë është skandaloze, për më tepër dorëzim i qëllimshëm i interesit publik në duart e interesave private. Kjo përbën futjen e ‘Kalit të Trojës’ në Universitetin e Prishtinës”, ka thënë ORCA në reagimin e dërguar medieve.
ORCA i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që ta shfuqizojë vendimin për emërimin e këtyre dy anëtarëve dhe të sigurojë një proces transparent emërimesh në bordet që lidhen me arsimin.
“Këshillet drejtuese të universiteteve publike duhet të fuqizohen me emra eminentë të botës akademike e shkencore ose të ndonjë fushe tjetër me rëndësi për jetën universitare dhe kurrsesi me emra anonimë, që nuk njihen për asnjë arritje domethënëse në çfarëdo fushe që lidhet me arsimin e lartë”, ka potencuar kjo organizatë.
ORCA ka kërkuar po ashtu që partitë t’i mbajnë larg duart nga Universiteti i Prishtinës.