×
  • Lajme
  • Lajme

    Opozita thotë se për 4 vite u ndërtuan veç 4 çerdhe, MASHT-i fajëson Komunat

    Aulona Konjuhi
    15 Shtator 2024

    Lëvizja Vetëvendosja para se të vinte në pushtet kishte premtuar ndërtimin e 160 çerdheve gjatë mandatit qeverisës të Albin Kurtit.

    Kanë mbetur pothuajse edhe katër muaj deri në përfundimin e mandatit të plotë të Qeverisë Kurti, kur ky premtim do ta merrë vulën e plotë të dështimit.

    Ndonëse partitë opozitare pretendojnë se gjatë mandatit të Qeverisë “Kurti” janë ndërtuar veç 4 çerdhe, nga Ministria e Arsimit në një përgjigje për Front Online kanë bërë të ditur se 44 çerdhe janë përfunduar, të cilat, siç thonë ata, përfshijnë edhe shkollat e adaptuara në çerdhe dhe ato në proces të ndërtimit, ndërsa 4 janë në proces të tenderimit.

    “Deri më tani janë 44 çerdhe të përfunduara, shkolla të adaptuara në çerdhe si dhe në proces të ndërtimit ndërkaq, 4 janë në proces të tenderimit. Në mënyrë që MASHTI të përmbush planifikimin, jemi në pritje të komunave për ndarjen e lokacioneve të përshtatshme për ndërtimin e çerdheve”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it për Front Online.

    MASHT: S’kemi shumë kërkesa nga Komunat, pranuam veç 25 propozime të lokacioneve

    Megjithatë nga MASHT-i kanë fajësuar Komunat për mos aplikimin e ndonjë kërkese për ndërtimin e çerdheve.

    “Ndërtimi i çerdheve nuk mund të bëhet pa një kërkesë nga Komunat. Deri më tani nga komunat kemi pranuar vetëm 25 propozime të lokacioneve. Një pjesë e madhe e tyre kanë probleme pronësore, probleme të terrenit të papërshtatshëm për ndërtim, probleme me madhësinë e sipërfaqeve të parcelave etj”.

    Në përgjigjen e MASHT-it për Front Online thuhet se këtë vit ishin planifikuar të ndërtohen afro 40 çerdhe por vetëm 6 leje kanë pranuar nga komunat.

     “Përkundër që janë planifikuar afër 40 çerdhe për ndërtim dhe adaptim në këtë vit, nga Komunat deri më sot kemi pranuar vetëm 6 leje për fillimin e procedurave të tenderimit ndërsa kemi edhe disa kërkesa të pakompletuara. Çdo kërkesë e cila ka arritur me dokumentacion të kompletuar nga komunat është proceduar tutje dhe kanë nisur procedurat për ndërtimin e tyre”, thuhet në përgjigje.

    Ky premtim i pushtetit aktual i cili nuk është realizuar është kritikuar ashpër edhe nga partitë opozitare, ekspert të arsimit e njohës të Punës dhe Mirëqenies Sociale.

    Enis Kervan: Shpresoj të përmbushën të gjitha premtimet e Qeverisë “Kurti”

    Nga Grupi Multietnik ka folur zv/kryetari i dytë në Komisionin për Arsim, Enis Kervan i cili tha se shpreson që premtimet të realizohen të gjitha.

    Tutje, ai nuk ka pranuar të përgjigjet për arsyen e mos ndërtimit të çerdheve të premtuara.

    “Në emër të Qeverisë nuk mund të jap përgjigje pyetjet dërgoni tek Qeveria. Shpresoj që të përmbushën të gjitha premtimet”, tha shkurt Kervan për Front Online.

    Hykmete Bajrami: Çerdhet nuk u ndërtuan, arsimi po rrënohet nga kjo Qeveri

    Ish-ministrja e Arsimit, njëherësh deputete e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se VV ka ardhë në pushtet me premtime por gjatë mandatit ka ndodhur e kundërta.

    Ajo ka përmendur disa nga premtimet që ka bërë partia në pushtet.

    “VV ka ardhë në pushtet jo vetëm me premtimin për ndërtimin e 160 çerdheve për fëmijë, por me shumë premtime si: ndërtimin e pesë shtëpive për të moshuarit, lirimin e çmimit të energjisë, premtimin që buka, vaji, sheqeri me qeverisjen e tyre do të kushtoj më lirë, kanë premtu sigurime shëndetësore, arsim, drejtësi, punësim, kthim të trurit, ndërtim të rrugëve, urave, tuneleve e magjistraleve, integrime euroatlantike dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Krejt çka ka ndodhë këtë tri vjet e gjysmë të mandatit të tyre është e kundërta”, tha ajo për FrontOnline.

    Bajrami thotë as nuk u ndërtuan çerdhet e premtuara, por përkundrazi arsimi po rrënohet.

    Korrupsion e nepotizëm me bollëk ka kjo qeveri, thotë ish-ministrja e Arsimit.

    “Çerdhet nuk janë ndërtu, as shtëpitë për të moshuarit, çmimi i rrymës është dyfishu, njëjtë si çmimet e artikujve ushqimor, deri me sot nuk është përfundu asnjë projekt infrastrukturor, as ato që në fillim të mandatit të tyre kanë qenë në gjysmë, ka ikje masive të fuqisë punëtore, është shkelë Kushtetuta plot 10 herë, ndërsa arsimi po rrënohet, nuk ka integrime euroatlantike – që 14 muaj jemi në masa ndëshkuese të BE-së, asnjë njohje, asnjë anëtarësim, ka korrupsion dhe nepotizëm me bollëk”, deklaron ajo.

    Ajo thotë se duhet të jap llogari Kurti për gjendjen e krijuar në vend.

    Bajrami thotë se faji qëndron tek dembelia e kabinetit qeveritar e shumë faktorë tjerë.

    “Se pse është gjendja e tillë është vështirë me i ditë arsyet, disa nga ato janë korrupsioni, mungesë e theksuar e kompetencës dhe dembelia e kabinetit qeveritar dhe partia në pushtet, por motivet dhe arsyet e vërteta duhet t’i japin vetë ata, duhet t’i jap Kurti sepse ai i ka dhënë këto premtime dhe marrë votat bazuar në këto premtime”, u shpreh Bajrami për Front Online.

    Deputeti i PDK-së: Kjo Qeveri nuk mund të ndërtojë një “kotec pule” e lëre më 160 çerdhe

    Anëtari i Komisionit Parlamentar për Arsim, nga radhët e PDK-së, Ardian Kastrati ka folur për Front Online lidhur me premtimin e VV-së për ndërtimin e disa çerdheve.

    Kastrati tha se ‘ata që ja kanë shkruar programin për arsim si çifti i Nagavcit janë mediokër’.

    Sipas tij, pushteti aktual nuk janë të aftë për qeverisje.

    “Mos realizimi i premtimit nuk është befasi pasi këta nuk kanë as edhe një ekspert të arsimit ndërsa ata që ja kanë shkruar programin për arsim si çifti i Nagavcit janë mediokër. Këta janë totalisht të paaftë në qeverisje  e menaxhim’, theksoi Kastrati.

    Deputeti Kastrati thotë se Qeveria Kurti nuk mund të ndërtojnë një kotec pule lëre më çerdhe.

    “Një pjesë e madhe e tyre punën e parë e kanë deputet e ministër dhe s’kanë menaxhuar kurrë projekte. Kurti punën e parë me pagë e ka pasur pozitën e deputetit, pra si të tillë këta nuk mund të ndërtojnë një kotec pule se lëre më ndonjë çerdhe”, tha ai. 

    Jasharaj: Premtimi i VV-së për ndërtimin e 160 çerdheve ishte pritur me entuziazëm, por nuk e mbajtën

    Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka potencuar se premtimi i Vetëvendosjes për ndërtimin e 160 çerdheve ishte pritur me entuziazëm.

    Ai thotë për Front Online se shumë premtime nuk mbajti kjo Qeveri.

    Jasharaj ka treguar se si do të ndikonte ndërtimi i 160 çerdheve në Kosovë.

    “Shumë premtime kanë mbetur të pa realizuara nga kjo Qeveri. Është pritur me entuziazëm lajmi për një numër goxha i madh të çerdheve por aspak nuk u realizua. Kjo do të ndihmonte në përfshirjen më të madhe të fëmijëve në këto institucione që do të ishin më të përgatitur për të vazhduar rrugëtimin në shkollë”, u shpreh Jasharaj.

    Ish-ministri i Punës: Premtimet e VV-së për 160 çerdhe veç fjalë boshe

    Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica e ka cilësuar si zhgënjim për qytetarët mos realizimin e premtimit nga Qeveria për ndërtimin e disa çerdheve.

    Reçica ka deklaruar për Front Online se këto premtime janë fjalë boshe për vota.

    “Mosrealizimi i këtij premtimi nga Qeveria Kurti është një zhgënjim i madh për të gjithë qytetarët e vendit, veçanërisht për votuesit e kësaj klase politike. Kjo tregon se premtimet e bëra para zgjedhjeve nuk ishin gjë tjetër veçse fjalë boshe për të fituar vota, një mashtrim i hapur ndaj qytetarëve”.

    Ai thotë ndërtimi i çerdheve është jetike për mirëqenien e fëmijëve por Qeveria nuk u kujdes për nevojat e qytetarëve.

    “Tregues i qartë i moskujdesit të qeverisë ndaj nevojave reale të qytetarëve, duke mos vlerësuar rëndësinë e çerdheve, të cilat janë jetike për mirëqenien e fëmijëve dhe një mbështetje e domosdoshme për prindërit dhe familjet që po përpiqen të ndërtojnë një të ardhme më të mirë”, thotë Reçica.

    Reçica theksoi se premtimet kanë mbetur vetëm në letër, e problemet e qytetarëve po neglizhohen.

    “Kjo qasje e treguar nga qeveria nuk është asgjë më shumë se një lojë politike, ku premtimet mbeten vetëm në letër, ndërsa problemet reale të njerëzve vazhdojnë të neglizhohen. Kjo tregon një mungesë vizioni dhe përkushtimi ndaj përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm social”, përfundoi ai.

    Deklarata e Albin Kurti në Kuvendin e Kosova gjatë prezantimit të plotë të programit qeverisës për vitet 2021-2025, në shkurt të vitit 2021.

    “Prandaj do të investojmë në shkolla dhe çerdhe publike me kujdes dhe edukim cilësor dhe shujta falas. Përmes investimeve ne 160 çerdhe dhe në adaptimin e hapësirave në institucione shkollore, përfshirja në edukimin e fëmijërisë së hershme rritet nga 7% në 24% për fëmijët e moshës 0-5 vjeç dhe nga 38% në 64% për fëmijët e moshës 3-6 vjeç. Kur kësaj i shtohet rritja e kapaciteteve në sektorin privat, atëherë mund të pritet rritje edhe më e madhe e pjesëmarrjes”, kishte thënë Kurti.

     

    Nga Rubrika
    Lajme07 Nëntor 2024
    Ish-ambasadorja e Kosovës në Bruksel, aktualisht nënkryetare e PDK-së, Mimoza Ahmetaj, për FrontOnline, ka deklaruar se për shkak të deklaratave të liderëve...
    Lajme07 Nëntor 2024
    Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka dalë me një reagim për vdekjen e 21 vjecarit në një aksident trafiku në fshatin Pestovë ...
    Lajme07 Nëntor 2024
    Ende pa u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, analistë e vëzhgues të shumtë shtrojnë gjithnjë e më shumë çështjen e pozicionimit të...
    Të tjera
    Lajme07 Nëntor 2024
    Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka pritur në takim shefin e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e...
    Opinione07 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Një ushtri funksionale dhe mirë e përgatitur është shtyllë e një shteti sovran, dhe çdo mangësi në këtë drejtim...
    Front TV07 Nëntor 2024
    Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të...
    Lajme07 Nëntor 2024
    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej një muaji ndaj...
    Lajme07 Nëntor 2024
    Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Drejtësisëka përmbyllur me sukses dorëzimin e dokumentacionit civil (certifikata të lindjes dhe certifikata të gjendjes penale)...
    Lajme07 Nëntor 2024
    Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka dorëzuar veçse në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës Ligjin për Zyrtarët Publikë. Kjo bashkë me...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.