Kombet e Bashkuara të martën thanë se në gjashtë vjetët e fundit, në luftën e Jemenit janë vrarë 233 mijë njerëz, duke e bërë atë një ndër konfliktet më të përgjakshme në botë në dekadën e fundit.
Kjo shifër u publikua në një raport të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinim të Çështjeve Humanitare. “Ky numër i madh është fatkeq dhe i papranueshëm”, thuhet në këtë raport.
Në raport thuhet se këta njerëz e kanë humbur jetën që nga fillimi i luftës qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë si pasojë e konfliktit, qoftë për arsye që ndërlidhen me të, shkruan Anadolu.
Sipas kësaj zyre, Jemeni ndodhet në pikë kritike dhe tani ekziston nevojë urgjente për armëpushim.
Ky shtet është përfshirë nga dhuna dhe kaosi që nga viti 2014, kur rebelët Houthi morën nën kontroll një pjesë të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sanaa.
Kriza u rëndua një vit më vonë, kur një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite nisi një fushatë shkatërruese të sulmeve ajrore.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se situata në Jemen e paraqet krizën më të madhe humanitare në botë pasi miliona njerëz janë në rrezik që të vdesin nga uria.