“Lëvizje të lirë të mallrave dhe bizneseve”.
Kjo është kërkesa që Oda Ekonomike e Kosovës, në njërën anë dhe ajo Izraelite, në tjetrën, do t`u përcjellin qeverive ku veprojnë, asaj të Kosovës respektivisht Izraelit.
Kështu u dakorduan sot në një takim që patën mes vete kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi dhe nënkryetari i Odës Ekonomike të Izraelit, Roy Roznek.
“Është vizita më e lartë e komunitetit të biznesit të Izraelit në Kosovë, ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit në biznes, duke filluar nga tregtia e sektorët tjerë. Kësaj vizite i ka paraprirë një komunikim i mëhershëm nga ambasadorja jonë në Izrael. Ky është hapi i parë. Në tetor do të kemi një vizitë atje dhe sigurisht vizitë të bizneseve këtu. Ne do të kërkojmë që të dy qeveritë të nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi për lëvizje të lirë të mallrave dhe bizneseve”, u shpreh Rukiqi, i pari i OEK-ut.
Në anën tjetër numri dy i Odës Izraelite, Roy Roznek tha se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi në mes të bizneseve kosovare dhe atyre izraelite.
“Është nderi im të vij këtu, ky është vetëm fillimi. Në jemi të nderuar që shteti juaj është ndër të parët që ka vendosur ambasadën në Jerusalem. Jam këtu që të hapim marrëdhënie të reja, mundësi ekonomike sa më të mëdha për bizneset e të dyja vendeve”, u shpreh Roznek para gazetarëve në Kosovë.
Ndryshe, Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike ndërmjet vete më 1 shkurt të këtij viti, hap i cili u cilësua si historik.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Jashtme e Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabriel Ashkenazi.
Dakordësia për këtë u arrit në kuadër të marrëveshjes ekonomike Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë në shtator 2020 në prani të ish-presidentit të SHBA, Donald Trump.