Njoftimi i kompanisë farmaceutike Pfizer mbi efikasitetin 90% të vaksinës që po zhvillon është pritur me gëzim kudo. Nëse testimet vijojnë me sukses, atëherë kjo vaksinë mund të nisë shpërndarjen në muajin dhjetor.
Por, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se sigurimi i vaksinës nuk do të zgjidhë problemet që u bënë shkak që koronavirusi të kthehej në pandemi. Më konkretisht, OBSH i referohet investimit të paktë në sistemet shëndetësore.
“Një vaksinë nuk do ta zgjidhë faktin që po investohet shumë pak globalisht në shëndetin publik dhe në sistemet shëndetësore. Është urgjente të përqendrohemi në shëndetin e njerëzve, të kafshëve dhe të planetit”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.