A e dini se çfarë është ortoreksia? Fjala tingëllon e çuditshme dhe e vështirë për t’u lidhur me një dietë të shëndetshme. Por ortoreksia ka të bëjë shumë me ushqimin – është një çrregullim i të ngrënit që shfaqet si një obsesion pas ushqimit të shëndetshëm.
Bëjnë kujdes për çdo kafshatë
Personat që vuajnë nga ortoreksia janë të ngarkuar nga fakti se gjithmonë duhet të hanë vetëm atë që është e shëndetshme, organike dhe e përgatitur në një mënyrë të caktuar. Është e pakonceptueshme që të hanë ushqim nga një restorant apo ushqim që nuk e dinë origjinën dhe mënyrën e përgatitjes.
Disa njerëz, nga nevoja e padëmshme për të ndryshuar dietën e tyre të varfër, shkojnë në ekstremin tjetër dhe bien në ortoreksi, nga e cila ndonjëherë nuk është e lehtë të dalësh.
Ata janë të fiksuar pas pastërtisë së ushqimit
Ortoreksia nuk është zyrtarisht një diagnozë, megjithëse filloi të tërheqë vëmendjen e komunitetit mjekësor në fillim të shekullit të 21-të. Shpesh përdoret për të treguar individë që shfaqin ankth kur bëhet fjalë për origjinën dhe pastërtinë e ushqimit dhe janë të fiksuar pas planifikimit dhe përgatitjes së ushqimit.
Kufizimet i qetësojnë
Sa më e pazakontë dhe kufizuese të jetë dieta, aq më mirë ndihet personi. Nëse kjo gjendje zgjat në formë të theksuar, atëherë konsiderohet çrregullim (praktikisht është në të njëjtin grup si anoreksia dhe bulimia).
Cilat ushqime shmangin?
Personat që vuajnë nga ortoreksia nuk hanë asgjë që nuk është e shëndetshme (sigurisht sipas mendimit të tyre) dhe kjo zakonisht do të thotë se ata nuk hanë asgjë të ëmbël, yndyrore apo ushqim që nuk ia dinë vlerën kalorike. Dhe, edhe nëse hanë këtë ushqim, përjetojnë stres të madh./FrontOnline/