Të paktën 9 të dyshuar në perëndim të Turqisë që mendohet të jenë të përfshirë në ndërtimin e ndërtesave që u shembën në tërmetin e fuqishëm, u nxorrën sot para gjykatës.
Urdhërat e arrestit u lëshuan për 11 të dyshuar, përfshirë kontraktorë dhe inxhinierë, që dyshohet se ishin bashkëpunëtorë në ndërtesat me defekte që u shembën gjatë tërmetit me fuqi prej 6.6 ballë më 30 tetor në rrethin Bayrakli të provincës Izmir.
Në deklaratat e tyre fillestare, të dyshuarit pretenduan se kanë ndërtuar ndërtesat në përputhje me rregulloret e kohës.
Një kontraktor, i identifikuar me inicialet M.B.U., të cilit i është lëshuar një urdhër-arresti në lidhje me shembjen e një ndërtese të tillë ishte plagosur në tërmet dhe ende është në kujdesin intensiv.
Sipas autoriteteve, numri i të vdekurve nga tërmeti që tronditi rajonin e Egjeut të Turqisë është rritur në 114.
Deri në 137 persona të plagosur ende janë duke u trajtuar ndërsa 898 janë lëshuar nga spitalet, bëri të ditur agjencia turke e katastrofave.
Turqia është ndër zonat më aktive sizmike në botë dhe ka pësuar tërmete shkatërruese në të kaluarën, përfshirë tërmetin me fuqi prej 7.6 ballë në Marmara në vitin 1999./aa/