Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesimi i të dhënave të formularëve të rezultateve të kandidatëve dhe subjekteve politike, skanimi i listës përfundimtare të votuesve, si dhe procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës.
Informacione se deri ku ka kanë shkuar procedurat ka dhënë zëdhënësi i Komisionit Qendor të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Elezi ka treguar se deri tash, rreth 4 mijë 950 zarfe me fletëvotime janë refuzuar.
“Deri më tani nga rreth 16 800 pako të supozuara me fletëvotime i janë nënshtruar procesit të vlerësimit, janë aprovuar rreth 11 800 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzur rreth 4 950 zarfe me fletëvotime. Arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme dhe tashmë i kemi bërë të ditura edhe dje”, ka thënë Elezi.
Ai ka folur edhe për arsyet e refuzimit të këtyre zarfeve.
“Disa prej këtyre pakove janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; disa të tjera për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit. Po ashtu, në disa raste pakot janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor); apo se në pakon që kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente jo-valide”, ka deklaruar Elezi.
Ndërsa të hënën do të vendoset nëse do të ketë rinumërim të votave në disa vendvotime të ndryshme, pasi aktualisht është duke u bërë auditimi i disa votave, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ai ka thënë pas marrjes së raportit KQZ-ja do ta shqyrtoj dhe më pas do të vendoset.
“Ka vendvotime që janë duke ju nënshtuar procesit të auditimit dhe deri të hënën më së largu do të kemi raportin, ku QNR-ja do të paraqes rekomandimet dhe më pas KQZ-ja vendos nëse do të ketë rinumërim në disa vendvotime”, tha Elezi.
Ai tha se nuk ka afat ligjor për publikimin e rezultateve përfundimtare./Front Online/