Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka folur sot për mungesën e asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në seancën e Kuvendit Komunal, në të cilën u hodh në votim marrëveshja mes kësaj komune dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Haskuka thotë se ka qenë i befasuar nga të gjithë asamblistët që bojkotuan këtë marrëveshje, të cilën e cilëson si shumë të mirë.
“Me të vërtet atë ditë kam qenë i befasuar nga të gjithë asamblistët, është marrëveshje shumë e mirë mes Komunën dhe BERZH-it, se është kredi dhe grand për energji efiçente, për 100 objekte publike. Për disa qendra kulturore, shtëpi të kulturës nëpër fshatra të Prizrenit të cilat do të furnizoheshin me dritare të reja dhe kulme të rinj. Jam befasu, por u befasova ma shumë se asamblistët nuk kanë qenë aty mos me votu”, tha Haskuka në Kanal 10.
Haskuka thotë se me mospjesëmarrje asamblistët nuk bllokuan atë personalisht, por bllokuan qytetarin dhe Komunën e Prizrenit.
“Kjo nuk është marrëveshje për mua, po për qytetin e Prizrenit. Nuk është etike mos me i votu gjërat që janë për të mirën e Prizrenit dhe qytetarëve të saj. Nuk është në rregull. Nuk është faktikisht bllokim i punës teme, por bllokim të punëve për qytetarët.”
Haskuka ka theksuar po ashtu se një mospjesëmarrje në votime si kjo ka pasur edhe disa herë të tjera.
Se a po ndodh ky bojkotim i punës së tij nga partia e Haskukës dhe a po bëhet qëllimshëm, ai kishte këtë përgjigje:
“Nuk e di a është neglizhencë. Nuk mendoj që është në rregull duke pasur parasysh që një pjesë e tyre kanë qenë me i prish koalicionet, normal që edhe zhvillimet politike na prunë në këtë gjendje ku ne nuk kemi shumicën në Kuvend. Mungesat janë të paarsyeshme”, nënvizoi ai.