×
  • Opinione
  • Opinione

    Nuk kam parë kurrë masa të tilla shtypëse në Stamboll: Demokracia e Turqisë po lufton për të mbijetuar

    Orhan Pamuk
    29 Mars 2025

    Nga: Orhan Pamuk, shkrimtar, fitues i Nobelit për Letërsi në vitin 2006 / The Guardian

    Që prej arrestimit në fillim të këtij muaji të rivalit kryesor politik të presidentit Recep Tayyip Erdoğan, kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu, mbi akuza qartësisht të fabrikuara për korrupsion dhe terrorizëm, Sheshi Taksim – pika më e madhe turistike dhe qendra e protestave politike të qytetit – ka mbetur bosh, i rrethuar nga policia. Në 50 vjetët e mia që jetoj në Stamboll, nuk kam parë kurrë kaq shumë masa të ashtuquajtura sigurie në rrugë si në ditët e fundit.

    Janë mbyllur stacioni i metrosë në Taksim, bashkë me shumë nga stacionet më të frekuentuara të qytetit. Qeveria rajonale ka kufizuar hyrjen e makinave dhe autobusëve ndërurban në Stamboll. Policia po kontrollon automjetet që hyjnë dhe ndalohet çdo person që dyshohet se po udhëton drejt qytetit për të protestuar. Këtu dhe në mbarë vendin, televizorët janë gjithnjë të ndezur, që njerëzit të ndjekin zhvillimet shqetësuese politike. Prej një jave, zyra e guvernatorit të Stambollit ka ndaluar protestat publike dhe demonstratat politike – të drejta të garantuara nga Kushtetuta. Megjithatë, protestat spontane dhe përplasjet me policinë kanë vazhduar pa ndërprerje, edhe pse qasja në internet është kufizuar për të penguar grumbullimet. Policia përdor gaz lotsjellës në mënyrë brutale dhe ka arrestuar një numër të madh njerëzish.

    Pyesim veten si mund të ndodhin gjëra kaq tronditëse në një vend që është anëtar i NATO-s dhe që synon anëtarësimin në BE. Ndërsa bota është e preokupuar me Donald Trumpin, me luftërat midis Palestinës dhe Izraelit, Ukrainës dhe Rusisë, pak nga ajo që ka mbetur nga demokracia turke po lufton për jetën e vet.

    Burgosja e rivalit kryesor të presidentit, një politikan që ka aftësinë të fitojë mbështetje masive, e çon sundimin autoritar dhe me dorë të hekurt të Erdoğanit në një nivel të cilin nuk e kemi parë më herët. Arrestimi i İmamoğlusë ndodhi vetëm disa ditë para se partia kryesore e opozitës në Turqi të priste ta shpallte atë zyrtarisht si kandidatin e saj për president gjatë një gare partiake. Njerëzit, qofshin pro apo kundër qeverisë, tashmë bien dakord për një gjë: Erdoğani e sheh İmamoğluin si një kërcënim politik dhe dëshiron të shpëtojë prej tij.

    İmamoğlu ka fituar më shumë vota sesa partia e Erdoğanit, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, në tri zgjedhjet e fundit për kryetar bashkie në Stamboll. Kur İmamoğlu e mposhti kandidatin e partisë së qeverisë, në zgjedhjet e prillit 2019, Erdoğani anuloi rezultatin, duke përmendur parregullsi teknike. Zgjedhjet u përsëritën dy muaj më vonë. İmamoğlu fitoi sërish. Madje, me një diferencë edhe më të madhe. Në raundin e ardhshëm të zgjedhjeve vendore në vitin 2024, pas pesë vitesh në detyrë, İmamoğlu e mundi sërish kandidatin e partisë së Erdoğanit dhe u rizgjodh kryetar i Stambollit për herë të tretë. Rezultatet e tij elektorale dhe popullariteti në rritje e kanë kthyer atë në kandidatin kryesor të opozitës që mund të sfidojë me sukses Erdoğanin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

    Ana tjetër e medaljes është se duket se Erdoğani po përdor të njëjtin skenar ndaj kundërshtarit të tij, siç u përdor ndaj vetë atij 27 vjet më parë. Në vitin 1998, Erdoğani ishte kryetar i zgjedhur i Stambollit dhe një figurë e njohur. Establishmenti laik dhe ushtarak e konsideronte versionin e tij të islamit politik si të rrezikshëm. Ai gjithashtu u burgos dhe u akuzua (në rastin e tij për nxitje të urrejtjes fetare, pasi recitoi një poezi politike në një tubim). Erdoğani u shkarkua nga detyra dhe kaloi katër muaj në burg.

    Por, burgosja e tij dhe refuzimi sfidues për të bashkëpunuar me establishmentin apo për t’iu nënshtruar kërkesave shtypëse të ushtrisë, ndihmuan që profili i tij politik të ngrihej edhe më shumë. Siç kanë vërejtur disa komentatorë, burgosja e İmamoğlusë, i cili i ka mohuar akuzat dhe ka premtuar gjithashtu se nuk do të “përkulet”, mund të ketë pikërisht të njëjtin efekt të padëshiruar për qeverinë. Ajo mund të jetë duke e bërë kryetarin e bashkisë edhe më të popullarizuar.

    Megjithatë, situata nuk është e njëjtë. İmamoğlu po përballet me një përpjekje të qëllimshme dhe të vendosur për ta larguar nga gara. Një ditë para se policia të dërgohej në shtëpinë e İmamoğlusë, shtypi pro-Erdoğan dhe rektori i emëruar nga Erdoğani në Universitetin e Stambollit, shpallën si të pavlefshme diplomën universitare të İmamoğlusë, duke përmendur parregullsi të supozuara në transferimin e tij nga një universitet privat. Duke qenë se vetëm ata që kanë përfunduar arsimin e lartë mund të kandidojnë për president në Turqi, kjo do ta skualifikonte İmamoğluin, i cili ka deklaruar se do ta kundërshtojë këtë vendim. Pas kësaj, erdhën akuzat për korrupsion dhe terrorizëm.

    Etiketimi i kundërshtarëve politikë si terroristë është një prirje që qeveria e Erdoğanit e ka përvetësuar pas grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016, kur një fraksion i forcave të armatosura turke tentoi të merrte pushtetin. Në vitin 2019, kur shkrimtari austriak Peter Handke – i kritikuar për mbështetjen ndaj liderit të ndjerë serb, Sllobodan Milosheviq – fitoi çmimin Nobel për Letërsi, Erdoğani reagoi ashpër ndaj këtij vendimi. I papërgatitur dhe pa teleprompter, ai deklaroi se “çmimi iu dha një terroristi nga Turqia!”, një referencë që, në pamje të parë, dukej se i drejtohej fituesit të Nobelit për Letërsi në vitin 2006 – me shumë gjasë, vetë autorit të këtij shkrimi. Unë isha në prag të kthimit nga Nju-Jorku në Stamboll atë ditë, dhe isha gati ta anuloja fluturimin, derisa zëdhënësi i presidentit sqaroi se presidenti nuk po më referohej.

    Një gjykatë nën ndikimin e Erdoğanit e ka dënuar İmamoğluin për korrupsion, por nuk ka ngritur akuza për “terrorizëm”. Një akuzë e tillë do t’i kishte dhënë presidentit Erdoğan mundësinë të vendoste kandidatin e tij të preferuar si kryetar bashkie në Stamboll – një post që partia e tij nuk ka arritur ta fitojë në tri palë zgjedhje radhazi – dhe, siç frikësohen shumë vetë, ai do të kishte mundësi të devijonte një pjesë të madhe të të ardhurave të pafundme të qytetit nga taksat, drejt aktiviteteve të propagandës dhe publicitetit për partinë e tij.

    Duke e burgosur İmamoğluin, Erdoğani jo vetëm që largon një rival politik më të popullarizuar – por, ai gjithashtu përpiqet të rikthejë kontrollin mbi një pasuri të madhe burimesh, të cilave nuk u është afruar dot për shtatë vjet. Nëse ia del mbanë, zgjedhjet presidenciale të ardhshme do të paraqesin vetëm fytyrën e Erdoğanit dhe të kandidatëve të tij nëpër muret e qytetit dhe nëpër bilbordët publikë të bashkisë.

    Kjo nuk është befasi për askënd që ndjek nga afër politikën turke. Në dekadën e fundit, Turqia nuk ka qenë një demokraci e mirëfilltë – por, thjesht një “demokraci elektorale”, ku mund të votosh për kandidatin që preferon, por nuk ke liri fjale apo mendimi. Në të vërtetë, shteti turk është përpjekur ta detyrojë popullin të konformohet me një standard të vetëm. Askush nuk po flet më për gazetarët e shumtë dhe punonjësit e administratës publike që janë arrestuar në mënyrë arbitrare gjatë ditëve të fundit – qoftë për të forcuar akuzat për korrupsion ndaj İmamoğlusë, apo sepse mendohet se askush nuk do të vërejë këtë në mesin e gjithë kësaj tollovie.

    Tani, me arrestimin e politikanit më të popullarizuar të vendit – kandidatit që pritej të fitonte shumicën e votave në raundin e ardhshëm të zgjedhjeve kombëtare – edhe kjo formë e kufizuar e demokracisë është drejt përfundimit. Kjo është e papranueshme dhe tronditëse, dhe është pikërisht arsyeja pse gjithnjë e më shumë njerëz po bashkohen me protestat më të fundit. Për momentin, askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë më pas. /Telegrafi/

    Nga Rubrika
    Opinione01 Prill 2025
    Shkruan: Shkëlzen Maliqi Shënim: Shkrimin “Lekura e Hashim Thaçit” e kam botuar më 27 shkurt 1999 në javorën “Zëri”, në ditën më...
    Opinione31 Mars 2025
    Shkruan Piro Ahmetaj: Sigurisht e kam ndjekur me përgjegjësi të shtuar, dalldisjen e radhës së Presidentit Vuçiç, mbas nënshkrimit të marrëveshjes ushtarake...
    Opinione30 Mars 2025
    Shkruan: Ismail Syla Historia dyvjeçare e një gjykimi special PARADOKSET E NARRATIVËS Më 3 prill 2025 bëhen dy vjet që kur filloi...
    Të tjera
    Sport01 Prill 2025
    Janë emëruar përzgjedhësit e grupmoshave të reja të Përfaqësueses së Kosovës në basketboll për meshkuj. Bordi i FBK-së, pas shqyrtimit të propozimit...
    Lajme01 Prill 2025
    Pjetër Shala ka apeluar vendimin e Themelores së Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, e cila e dënoi me 18...
    Lajme01 Prill 2025
    Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër dy të dyshuarve për veprën penale “Rrëmbimi”. Sipas aktakuzës, ata më 17 dhjetor 2024...
    Vip01 Prill 2025
    Rikthimi i Egli Takos në shtëpinë e Big Brother VIP Albania ka shkaktuar ndryshime të mëdha në dinamikën e lojës, përfshirë edhe...
    Lajme01 Prill 2025
    Presidentja Osmani sot e ka caktuar datën për mbajtjen e seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Por çfarë pritet të ndodhë...
    Lajme01 Prill 2025
    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, u takua me Kryetarin e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Mendi Qyra, ku u...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.