Ministrja franceze për Çështje Evropiane, Amélie de Montchalin deklaroi sot se nuk ka më asnjë bisedim për datën përfundimtare për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, 31 janar, dhe se ekziston ende një rrezik i Brexit pa marrëveshje.
Ajo tha për Radio Europe 1 se po këshillonte kompanitë franceze që të përgatiteshin për skenarin sipas të cilit Londra zyrtare do të largohej nga BE pa një marrëveshje.
De Montchalin mbrojti qëndrimin e Francës për të mos e zgjatur afatin e Brexit, pasi ‘bota e afarizmit francez dhe familjet kërkojnë qartësi’ për këtë çështje.
BE, megjithatë, zgjati afatin për Brexit deri më 31 janar të vitit të ardhshëm.
Kryeministri britanik Boris Johnson ishte zotuar të tërheqë vendin nga BE më 31 tetor me ose pa një marrëveshje, por parlamenti e refuzoi planin e tij.
Zgjedhjet e parakohshme në Britani të Madhe janë caktuar për datën 12 dhjetor./Front Online/