Pavarësisht se a qajmë me “lot si shiu”, ose derdhim lot të mëdhenj, të ashtuquajturit lot krokodili, kryesisht janë shprehje e emocioneve tona dhe e asaj që është e domosdoshme “ta nxjerrim” jashtë organizmit
Mirëpo, nuk janë të gjithë lotët të njëjtë.
Prodhojmë tri lloje lotësh: bazalë, refleksivë dhe emocionalë.
Kryesisht lotët kanë funksionin e mirëmbajtjes së shëndetit të syve. Kështu, p.sh., lotët bazalë rrjedhin pandërprerë. Ata pastrojnë dhe lyejnë sytë. Në atë mënyrë sipërfaqen e jashtme të syve e bëjnë të lëmuar dhe na ndihmojnë që të shohim më mirë.
Lotët refleksivë ndodhin në mënyrë të pavetëdijshme. Ata ndihmojnë që shytë të pastrohen dhe të mbrohen nga irrituesit, duke përfshirë edhe grimcat e pluhurit apo të gazit me bazë sulfuri të cilat lirohen kur me thikë pritet qepa e re.
Ekzistojnë edhe lotët emocionalë të cilët shfaqen si përgjigje ndaj emocioneve. Konsiderohet që këta lot janë karakteristikë vetëm për llojin njerëzor.
Doktoranti i psikologjisë në Universitetin Minjo në Portugali, Andre Silva, konsideron që lotët emocionalë mund të shërbejnë si mjet komunikimi joverbal.
“Bebet kur qajnë u sinjalizojnë nënave të tyre që diçka nuk është në rregull. Qarja është thirrje për kujdes”.
Qarja është shprehje jashtëzakonisht e fuqishme vizuale e ndjenjave të cilat i përdorim edhe para se të flasim.
Arsyeja më e fuqishme për qarje emocionale është ndikimi i madh i lotëve në grup.
Ndërsa fëmija rritet, ai fillon të përdorë lotët për të shprehur emocione, të tilla si lumturia ose trishtimi.
Ata lot mund të provokojnë dhembshuri dhe ndjeshmëri te të tjerët. Ai është një komunikim i fuqishëm, por edhe një aparat i fuqishëm manipulues.
Gjithashtu, e qara e bën më të vështirë për disa njerëz të fshehin ndjenjat e tyre kur janë në mes të një gjendjeje ekstreme emocionale, thotë Silva.