Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu e ka komentuar fitoren e sotme përballë Arbërisë.
Në kuadër të javës së 27-të në Superligën e Kosovës, Drita mundi Arbërinë në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë me rezultat 1:3, shkruan FrontOnline.
Pas ndeshjes, Nuhiu ka thënë se skuadra e tij tregoi “karakter dhe vendosshmëri” për të fituar sot.
“Dy barazimet e fundit na kanë rënduar psikologjikisht. Megjithatë, futbollistët sot treguan karakter dhe vendosshmëri për ta fituar ndeshjen që nga minuta e parë. Pranuam një gol nga pakujdesia, por u rikthyem shumë shpejtë duke treguar karakter”, deklaroi Nuhiu.
“Ne kryejmë detyrat tona dhe me shumë qetësi i presim ndeshjet e kundërshtarëve. Kampionati është shumë i gjatë dhe do t’i marrim ndeshjet një nga një”, tregoi ai.
“Do të mundohemi ta mbrojmë titullin kampion për të dëshmuar se titulli i arritur në edicionin e kaluar nuk ishte rastësi. Kemi kundërshtarë të vështirë, por do të përqendrohemi në çdo ndeshje sikurse të ishte finale“, përfundoi trajneri shkupjna./FrontOnline/