Kryendeshja e sotme në elitën e futbollit të Kosovës u zhvillua në Gjilan.
Në stadiumin e qytetit në Gjilan, Drita e mposhti Feronikelin me rezultat, 3:1, shkruan FrontOnline.
Pas ndeshjes, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu u shpreh tejet i lumtur me futbollistët e tij.
“Të gjithë lojtarët janë angazhuar shumë dhe një dëshirë të madhe për t’u kthyer te fitorja. I uroj futbollistët e mijë për paraqitjen duke mos lejuar kundërshtarin të na rrezikonte dhe besoj se me plotë mërit kemi fituar ndeshjen”, ka thënë Nuhiu në “Art Sport”.
“Ishim në një moment të keq por sot futbollistët treguan karakter duke reaguar jashtëzakonisht mirë. Ne duhet të punojmë dhe në fund t’i presim kundërshtarët”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, pavarësisht rezultateve zhgënjyese, trajneri i Feronikelit, Klodian Duro është i bindur se skuadra e tij do të mbijetojë në elitë.
“E nisëm lojën mirë dhe humbëm një rast dhe më pas diferenca e vogla e bënë dallimin ku kundërshtari kaloi në avantazh me një penallti”, thotë Duro.
“Çdo ndeshje do të luftojmë deri në fund pasi e meritojmë të jemi më lart në tabelë. Ky ekip nuk e meriton të jetë këtu ne do të bëjmë të pamundurën që të jemi pjesë e Superligë edhe në sezonin e ri. Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe shpresoj që në fund të na shpërblehet”, deklaroi ai./FrontOnline/