Kryendeshja e javës së 34-t në Superligën e Kosovës u zhvillua në pasditën e sotme në stadiumin e qytetit në Gjilan.
Kampionia në fuqi, Drita ishte nikoqir i Ballkanit, në ndeshjen e cila u mbyll baras 1:1, raporton FrontOnline.
Pavarësisht barazimit, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu thotë se futbollistët e tij u angazhuan maksimalisht.
“Lojtarët janë angazhuar, kemi pasur punë me një kundërshtarët të fortë siç është Ballkani. Epiologu real i kësaj ndeshje ishte barazimi pasi kemi pasur raste të dyja ekipet mundësi ta fitonin ndeshjen”, ka thënë Nuhiu në “Art Sport”.
“E kemi përgatitur ekipin për ta fituar ndeshjen, por e kemi ditur edhe cilësit të cilat i ka Ballkani. Kemi pasur disa raste të cilat po të ishim më të kujdesshëm mund të realizonim. Ka qenë një kampionat shumë i fort dhe të luftuar nga tri skuadrat që kërkonin titullin. Duhet të përgatitemi për të fituar kemi ngecur me pikë dhe nuk kemi ndeshje për të rikuperuar dhe do të japim maksimumin”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, trajneri i përkohshëm i Ballkanit, Ardian Basha deklaroi se ndeshjen e sotme e dominoi skuadra e tij.
“Falënderoj presidentin e klubit dhe të gjithë që ma besuan detyrën e trajnerit. Bëmë gjithçka, dominuam lojën, kishim shumë raste, por pak çaluam te konkretizimi. Mendoj se kemi bërë maksimumin dhe e kemi përgatitur ndeshjen taktikisht që ta qarkullojmë topin e të rrezikojmë. Loja shkoi ashtu siç e planifikuam”, tha Basha.
“Jam shumë i lumtur me angazhimin dhe do të vazhdojmë edhe në dy ndeshjet tjera të japim maksimumin, deri kur të përfundojë gara. Ne kemi qenë skuadra që e ka bërë spektaklin. Mendoj që kemi mundur të arrinim më shumë. Rrethanat tjera nuk na kanë lejuar që të kemi më shumë pikë. Në momentet vendimtare nuk po na japin atë që na takon”, shtoi ai./FrontOnline/