Kryeministrja e Norvegjisë, Erna Solberg, ka paralajmëruar se vendi i saj është afër që ta humbë kontrollin ndaj pandemisë së koronavirusit dhe njoftoi për masa të reja kufizuese.
Qeveria norvegjeze tha se numri më i madh i mysafirëve që mund të shkojnë në një shtëpi apo banesë do të jetë i kufizuar në pesë dhe se udhëtimet e panevojshme duhet të shmangen, shkruan The Guardian.
Baret duhet të mbyllen në mesnatë, ndërsa të huajt që duan të futen në këtë shtet duhet të kenë test negativ të COVID-19.
Autoritetet gjithashtu po e shqyrtojnë mundësinë që të kufizohet mësimi në shkolla dhe universitete, sipas agjencisë Reuters.
Ditëve të fundit, numri i rasteve të koronavirusit në Norvegji është rritur në shumë rajone. Javën e kaluar u shënua shifër rekorde, ndonëse Norvegjia deri vonë e ka pasur një ndër shkallët më të ulëta të infeksionit.