Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka njoftuar se ka marrë mbështetje nga Norvegjia për finalizimin e procesit të liberalizimin e vizave.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, pas telefonatës që ka zhvilluar sot me Ministren e Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë, Ine Eriksen Søreide.
“Në thirrjen e sotme telefonike me Ministren e Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë Znj. Ine Eriksen Søreide kërkova përkrahjen për finalizimin e procesit të Liberalizimit të Vizave me zonën Schengen ku Norvegjia bën pjesë, dhe gjeta mbështetjen e plotë për këtë proces”, ka shkruar ajo.
Haradinaj-Stublla ka treguar se me homologen e saj kanë shkëmbyer edhe pikëpamje rreth dialogut për njohje reciproke në kufijtë ekzistues me Serbinë, derisa ka falenderuar Norvegjinë për përkrahjen dhe partneritetin e vazhdueshëm.