Prodhuesi i rrjetit wireless, “Nokia”, ka deklaruar se planifikon të shkurtojë 10% të stafit, për të reduktuar kostot teksa po investon në fushën e kërkim-zhvillimit dhe përpiqet të forcojë rolin si furnizues kyç i teknologjisë 5G.
Konkretisht, kompania finlandeze do të shkurtojë deri në 10 mijë vende pune nga stafi aktual prej 90 mijë personash. Ajo nuk ka specifikuar vendet apo zonat gjeografike që do të preken nga kjo masë, por ka nënvizuar se do të jenë nga katër njësitë kryesore të bizneseve të saj.
Kompania po përpiqet të rifitojë pozitën e saj pasi ka humbur terren përballë gjigantëve të tjerë të rrjetit 5G si “Huawei” dhe “Ericsson”.
Pekka Lundmark, shefi i ri ekzekutiv i “Nokia”, ka theksuar se kompania do të bëjë gjithçka për të fituar garën për 5G-në.
“Në ato zona ku do të konkurrojmë, do të luajmë për të fituar. Ndaj po përmirësojmë cilësinë e produkteve tona dhe koston e konkurrencës, si dhe po investojmë për aftësitë dhe kapacitetet e duhura,” – deklaroi Lundmark.
“Nokia” u kap e papërgatitur nga përhapja e rrjetit 5G pasi po zgjidhte kontestin prej 15.6 miliardë eurosh me “Alcatel-Lucent”.
Në vitet e fundit, ajo ka luftuar financiarisht krahasuar me suedezen “Ericsson” dhe kinezen “Huawei”.