Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka lëshuar një urdhër-arrest për Milan Radoiçiqin dhe 19 serbë të tjerë, të cilët po akuzohen për krime lufte gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Ky grup kriminal, sipas akuzës, dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e 106 civilëve shqiptarë në qytetin e Gjakovës, si dhe keqtrajtimin e 300 të tjerëve gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Vendimi i gjyqtarit të procedurës paraprake, Lutfi Shala, ka urdhëruar shoqërimin me forcë të të pandehurve menjëherë, në përputhje me akuzat që rëndojnë mbi ta.
Sipas dokumentit, urdhri i arrestit është lëshuar më 15 prill 2025, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila kishte parashtruar kërkesën për arrestimin e të pandehurve më 27 mars 2025.
Referuar urdhërit të arrestit, vrasjet dhe keqtrajtimet e civilëve shqiptarë dyshohet të jenë kryer në një periudhë nga 7 maji deri më 10 maj 1999, gjatë ngjarjeve të dhunshme që ndodhën në Gjakovë.
Trupat e civilëve shqiptarë, të cilët dyshohet se u vranë nga ky grup, janë gjetur më pas në një varrezë masive në Batajnicë. Dëshmitë e nxjerra nga hetimet sugjerojnë se shumë prej viktimave ishin keqtrajtuar përpara se të vriteshin.
Avokati i Popullit: Realizimi i urdhër-arrestit ndaj Radojçiqit vështirë të realizohet pa një bashkëpunim ndërkombëtar
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, për FrontOnline ka komentuar urdhër-arrestin e lëshuar nga Kosova ndaj Milan Radojçiqit dhe 19 serbëve të tjerë, të akuzuar për krime lufte në Kosovë.
Ai tha se është informuar për këtë zhvillim përmes mediave dhe theksoi rëndësinë që ky është një çështje që i takon sistemit të drejtësisë.
“Jemi informuar nga mjetet e informimit për këtë urdhër-arrest ndaj Radojçiqit. Këto janë punë të sistemit të drejtësisë,” ka thënë Qelaj për FrontOnline.
Megjithatë, ai ka shtuar se realizimi i këtij është i vështirë pa një bashkëpunim ndërkombëtar.
“Por, besoj pa një bashkëpunim ndërkombëtar është e vështirë të realizohet kjo,” ka shtuar ai.
Hasan Shala: Urdhri i arrestimit për Radojçiqin ka efekt vetëm nëse ai zihet jashtë Serbisë
Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, për FrontOnline ka komentuar vendimin për lëshimin e urdhër-arrestit ndaj Milan Radojçiqit dhe 19 serbëve të tjerë të akuzuar për krime lufte në Kosovë, duke theksuar se ky urdhër do të kishte pasur efekt vetëm nëse do të ishte dorëzuar nga Interpoli ose Europoli.
Sipas Shalës, sfida kryesore mbetet mosbashkëpunimi i Serbisë me shtetet tjera, përfshirë në këtë rast çështjen e ekstradimit të të akuzuarve.
“Ky urdhër arrest kishte pasur efekt nëse iu ishte dorëzuar Interpolit ose Europolit, por pak më vështirë është për shkak se Serbia nuk bashkëpunon me asnjë shtet kur janë në pyetje këta terroristë, sepse edhe vetë shteti serb është i përfshirë në këtë rast,” ka deklaruar Shala, duke e theksuar lidhjen e ngushtë mes autoriteteve serbe dhe personave të akuzuar për krime lufte.
Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit shtoi se do të kishte pasur një ndikim pozitiv nëse Radojçiqit dhe të tjerët do të ishin arrestuar jashtë Serbisë.
“Ai si kriminel ka kryer vepër penale. Kishte me pasur efekt pozitiv nëse Radojçiqit ishte zënë jashtë Serbisë, por për momentin ai gjendet aty dhe Serbia nuk bashkëpunon me vendet tjera,” tha Shala.
Bajraktari: Pas urdhër-arrestit ndaj Radojçiqit duhet të lëshohet edhe fletë-arrestim ndërkombëtar
Avokati Ardian Bajraktari për FrontOnline ka komentuar vendimin e Kosovës për lëshimin e urdhër-arrestit ndaj Milan Radojeçiq dhe 19 serbëve të tjerë të akuzuar për krime lufte në Kosovë.
Ai e ka cilësuar këtë urdhër si një masë të nevojshme për sigurimin e prezencës së të pandehurve në proceset gjyqësore, duke theksuar se pa praninë fizike të të akuzuarve, zhvillimi i procedurave është i pamundur.
“Urdhëri arresti i lëshuar nga Kosova ndaj Radojçiqit, është njëri prej elementeve që nënkupton masë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në këtë procedurë, pasi që dihet se ndaj tij rëndojnë edhe akuza të tjera,” tha Bajraktari për FrontOnline.
Ai shtoi se pas këtij urdhri duhet të lëshohet edhe një fletë-arrestim ndërkombëtar, që do të mundësonte ekstradimin e Radojçiqit dhe të tjerëve në momentin që ata hasen në ndonjë shtet tjetër.
“Pas kësaj duhet të lëshohet edhe fletë-arrestim ndërkombëtar, që nënkupton që në momentin që haset në ndonjë vend tjetër, Radojçiqit të sillet në Kosovë për akuzat që rëndohen ndaj tij,” ka shtuar ai.
Bajraktari theksoi se, megjithatë, sjellja e Radojçiqit dhe të tjerëve nga Serbia mbetet një sfidë e madhe, për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga shteti serb.
“Kosova përveç se me Serbinë, ka raporte të mira për këtë pjesë. Megjithatë, sjellja e Radojçiqit, nuk është e pamundur por vështirë e arritshme bazuar edhe në faktin se shteti serb nuk ka gatishmëri për të bashkëpunuar me organet tona,” tha Bajraktari për FrontOnline.
Sa i përket mundësisë që Serbia të ekstradojë Radojçiqitn dhe të tjerët, avokati theksoi se kjo është një mundësi e largët, që mund të realizohet vetëm me presion ndërkombëtar, i cili për momentin nuk po rritet si faktor i nevojshëm për këtë çështje.
“Sa i përket që Serbia ta ekstradojë Radojçiqin dhe të tjerët, është e vështirë, dhe ajo bëhet vetëm me presion ndërkombëtar, gjë që s’po rritet si i tillë,” përfundoi ai.