Jo rrallëherë fëmijët keqtrajtohen nga prindërit e tyre. Në shumicën e këtyre rasteve, viktima janë të miturit, ndaj të cilëve ushtrohet dhunë fizike e psikike. Kështu ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme në fshatin Vërshevc të Lipjanit, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se këtë herë dy vajza janë sulmuar fizikisht nga njerka e tyre, gruaja e babait (emër i njohur për redaksinë, që nuk do të publikohet me qëllim të ruajtjes së identitetit të viktimave të mitura).
E dyshuara që u denoncua për keqtrajtim fizik është arrestuar pasi u denoncua në Polici se po ushtron dhunë në familje.
Posa Policia ka marrë informacionin, njësitet policore kanë arritur ta kapin të dyshuarën, e cila është shoqëruar për në stacion policor për intervistim.
Pas marrjes së informacioneve të para, Prokurori i Shtetit ka vendosur që gruan e dyshuar ta ndalojë për 48 orë.