Hamendësimet që koronavirusi ka qarkulluar në Europë shumë përpara se të deklaroheshin zyrtarisht rastet e para janë ngritur prej kohësh. Por një studim i ri, i kryer në Itali nga Instituti Kombëtar i Tumoreve, e çon shumë më përpara kohën e qarkullimit të virusit.
Studimi i botuar në nëntor me firmën e drejtorit të këtij instituti, Giovanni Apolone, zbulon se në shtator 2019, 14% e mostrës së ekzaminuar tregoi antitrupa ndaj koronavirusit SARS-Cov-2. Me fjalë të tjera, koronavirusi që tani është në valën e dytë të tij në pjesën më të madhe të botës ka qarkulluar në Itali shumë përpara shkurtit dhe ndoshta që nga vera 2019-s.
Origjina e kërkimit
Gjithçka nisi në kontekstin e testimit për kancerin e mushkërive, një projekt me emrin “Smile”, i cili nga shtatori 2019 deri në mars 2020 regjistroi 959 vullnetarë të shëndetshëm për t’iu nënshtruar skanimit CT të mushkërive dhe testeve të gjakut.
Lajmi për epideminë kineze në janar dhe mbërritja në Itali në shkurt ndezi interesin e studiuesve të Institutit Kombëtar të Kancerit, të cilët së bashku me kolegët nga universitetet e Milanos dhe Sienës kryen testin serologjik në të gjitha mostrat e gjakut që ishin marrë për fushatën “Smile”. Rezultati: nga 959 mostra, 111 ishin pozitive për imunoglobulinën G (16 raste) ose për imunoglobulinën M (97 raste). Nga këto, 111 raste pozitive, 23 datojnë në shtator, 27 në tetor, 26 në nëntor, 11 në dhjetor, 30 në janar dhe 21 në shkurt. Edhe shpërndarja gjeografike e tyre është interesante. Ato vijnë nga 13 rajone, gjysma nga Lombardia, e ndjekur nga Piemonte, Lacio, Emilia-Romanja, Toskana, Veneto.
Të dhëna për antitrupat neutralizues
Nga 111 raste pozitive, 6 rezultuan pozitivë për antitrupa që neutralizojnë virusin, 4 prej të cilave ishin tashmë në fillim të tetorit. Kjo mund të jetë e dhëna më e rëndësishmet. Një prevalencë pozitive më e madhe se 10%, në fakt, nuk duket se pajtohet me studimet serologjike të mëvonshme, siç është studimi kombëtar i kryer nga ISTAT-ISS, që nxori 2.5% të popullsisë.
Virusi në qarkullim që prej verës së kaluar dhe sëmundjet atipike të mushkërive
Këto të dhëna konfirmojnë dyshimet për qarkullimin e virusit në Itali shumë para 20 shkurtit, ndoshta nga vera e vitit 2019. “Që nga nëntori 2019, shumë mjekë të përgjithshëm kanë filluar të raportojnë shfaqjen e simptomave të rënda të frymëmarrjes tek të moshuarit dhe personat vulnerabël me bronkit atipik bilateral, i cili i është atribuar, në mungesë të lajmeve për virusin e ri, disa formave agresive të gripit sezonal”, kujton studimi.
Studimi në fjalë provon që këto raste nuk ishin forma të rënda të gripit sezonal, por shenjat e para të Covid, një sëmundje e re që askush nuk e vuri re derisa Kina ngriti alarmin në fund të vitit 2019.