Sot një shërbyes civil i Komunës së Podujevës e ka denoncuar në Policinë e Kosovës, kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqin, me pretendimet se ky i fundit ka ushtruar ndaj tij dhunë fizike dhe verbale gjatë kohës sa ishte në ambulancë me nënën e tij.
Siç i ka thënë Policisë së Kosovës ky qytetar, derisa kishte qenë duke kërkuar ndihmë mjekësore bashkë me nënën e tij në shtëpinë e shëndetit në Podujevë , ishte sulmuar verbalisht dhe fizikisht nga kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, raporton Gazeta Express.
Ky person ka deklaruar se është kapur për fyti nga Shpejtim Bulliqi pas një sulmi verbal paraprak.
Personi që ka denoncuar Bulliqin për dhunë është dërguar nga Policia për kontroll mjekësorë derisa për rastin janë duke u marrë Policia.
Front Online ka provuar që për këtë të marrë përgjigje edhe nga kryetari Bulliqi, por i njëjti ka qenë i pa qasshëm në telefonata.
Ndërsa, komandanti i Policisë në Podujevë, Isak Ejupi pa dashur të japë më shumë detaje ka thënë për Front Online se nuk dëshiron ta komentojë këtë pasi që është rast i ndishëm.
Këtë e ka konfirmuar për Front Online edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti.
Ahmeti tha se janë duke u trajtuar pretendimet e paraqitura nga ana e denoncuesit.
“Rreth orës 09:30 në stacionin policor në Podujevë është denoncuar një rast i sulmit fizik.Aktualisht janë duke u trajtuar pretendimet e paraqitura nga denoncuesi, dhe me qëllim të zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen veprimet policore po ndërmerren në koordinim me prokurorin e shtetit”./FrontOnline/