Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka marrë vendim për fillimin e hetimeve ndaj një të pandehuri me inicialet B.P., si dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore të Gjakovës për caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë.
Sipas Prokurorisë, dyshohet se B.P. ka poseduar dhe trafikuar substanca narkotike me qëllim shitjeje.
Ngjarja ka ndodhur më 23 shtator 2024, rreth orës 21:10, në rrugën Gasper Karaqi në Gjakovë. Policia e Trafikut, gjatë një pike kontrolli, sinjalizoi të pandehurin për të ndaluar automjetin e tij, por ai tentoi t’i shmangej ndalimit dhe filloi të largohej.
B.P. akuzohet për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, bazuar në nenin 267, paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.