Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar një muaj paraburgim personit me inicialet Sh.S, i cili u dorëzua në polici dje pas disa muajsh në arrati.
Ai dyshohet se ka kryer tri vepra penale “Vrasja në tentativë, Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, andaj nëse i pandehuri SH.S lihet në liri, i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për procedurën penale, ka rrezik të ikjes së tij duke pasur parasysh se i njëjti prej ditës kritike me datë 04.03.2024 kur kishte ndodhur rasti për të cilin akuzohet, kishte qenë në arrati deri në momentin e arrestimit-ndalimit të tij me datë 03.06.2024, pra gjatë kësaj periudhe të gjatë kohore i njëjti kishte ikur dhe nuk iu ishte përgjigjur ftesave të organeve të drejtësisë, po ashtu gjykata vlerësoj se nëse pandehuri SH.S do të jetë në liri, mund të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprave penale ose do të pengojë rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar në të dëmtuarit dhe dëshmitarët e kësaj çështje penale”, thuhet në njoftim.
Klankosova.tv ka mësuar se bëhet fjalë për Shkumbin Sekiraqën, (djali i Sali Sekiraqës”, i cili në mars kishte pasur një konflikt dhe pas një konflikti verbal dhe përleshjes, e kishe plagosur Pajtim Gashin, nga familja e njohur si “Capat”.
Konflikti kishte bërë bujë të madhe.