Elton Ilirjani, i cili ka qenë në përkujdesjen e këngëtares së njohur Parashqevi Simaku, ka shpërndarë një lajm ekskluziv dhe shumë emocionues për të gjithë shqiptarët.
Ai ka postuar në InstaStory një mesazh ku njofton se sot, në orën 21:00, Parashqevi Simaku do të përshëndetë për herë të parë me zë dhe figurë Festivalin e 63-të të Këngës në RTSH.
Ky lajm ka emocionuar të gjithë ata që kanë dashuri të madhe për Parashqevi Simakun, të cilën po e shohim në ekran pas kaq shumë kohësh.
Këngëtarja e madhe ka pasur një lidhje të ngushtë me Festivalin e Këngës, duke qenë një nga figurat më të njohura dhe të respektuara në këtë ngjarje prestigjioze.
Në vitin 1985, në Festivalin e 24-të të Këngës në RTSH, Parashqevi Simaku fitoi vendin e parë me këngën “Në moshën e rinisë”. Po ashtu, në vitin 1988, ajo triumfoi sërish, duke marrë çmimin e parë në Festivalin e 27-të të Këngës me këngën “E duam lumturinë”, të kompozuar nga Pirro Çako.
Repertuari i saj është shumë i pasur dhe përfshin një numër të madh këngësh të suksesshme. Pas vitit 1991, ajo u transferua në SHBA, ku vazhdoi të merrej me muzikë dhe nxori një album të ri.
Para se të largohej, ajo ishte shfaqur për herë të fundit në Shqipëri në vitin 1996, si e ftuar në edicionin e 35-të të Festivalit të Këngës në RTSH. /Telegrafi/