Një 20-vjeçar në Tiranë është plagosur me një plumb qorr në oborrin e banesës së tij pranë zonës së spitaleve.
Ndërkohë kanë nisur hetimet për ngjarjen ku sipas bluve ai është qëlluar gabimisht teksa plumbi ishte në rënie të lirë.
Jo vetëm kaq, por në kryeqytet ka patur edhe 16 persona të lënduar nga keqpërdorimi i lëndëve piroteknike. Të lënduar ka patur dhe në qytete të tjera të vendit.
Fatmirësisht rastet kanë qënë të pakta dhe pa pasoja të rënda, ndërkohë që policia ndodhet në gadishmëri të plotë për ditët festive.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda ka inspektuar punonjësit e Policisë që ishin në detyrë gjatë natës së ndërrimit të viteve, për të parë nga afër zbatimin në terren të masave të marra.
Proda u ndal edhe në sallën operative të Tiranës ku falenderoi punonjësit për angazhimin e tyre.
Policia do të jetë në gadishmëri të plotë deri më datën 5 janar ku janë shtruar patrullimet jo vetëm në sheshet festive, por dhe në akset rrugore për parandalimin e aksidenteve si pasojë e përdorimit të alkoolit.