Projektligji për rimëkëmbje ekonomike ka dështuar shtatë herë të marrë ‘dritën jeshile’ nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, në kohën kur qytetarët e vendit po përballen me gjendje të vështirë ekonomike si pasojë e pandemisë me koronavirus.
Dështimi i votimit të projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, i cili parasheh edhe tërheqjen e dhjetë përqindëshit të mjeteve të qytetarëve nga Trusti, ka ndodhur për shkak të mungesës së kuorumit në seancat plenare të Kuvendit të Kosovës.
E Valdete Bajrami nga Nisma Socialdemokrate thotë se për mos kalimin e këtij projektligji janë fajtorë të gjitha partitë politike.
“Qytetarët le të na ndëshkojnë nëse nuk kalon ligji i rimëkëmbjes ekonomike”, ka thënë ajo në Debat Plus në TV Dukagjini.
Deputetja nga radhët e AAK-së Teuta Haxhiu ka thënë se pothuajse çdo ditë merr mesazhe në telefon nga qytetarët të cilët kërkojnë kalimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike.
“Qytetarët nuk kërkojnë më tepër sesa atë që iu takon – tërheqja e mjeteve të tyre”, tha ajo.
Ndërsa, deputeti Artan Abrashi nga Vetëvendosje ka akuzuar qeverisjen Hoti për dështim në menaxhimin e gjendjes me pandemi dhe mos kalimin për herë të shtatë të ligjit për rimëkëmbje ekonomike në Kuvend, duke thënë se zgjidhja e vetme për të dalë nga gjendja aktuale është shkuarja e vendit në zgjedhje të reja.
E Kujtim Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që të krijohet një pako më e mirë ekonomike për qytetarët nëse partitë në koalicionin qeverisë dëshirojnë të kenë përkrahjen e kësaj partie.
Deputeti i LDK-së, Shkëlzen Hajdini ka thënë se qeveria iu ka bërë thirrje partive opozitare të dërgojnë propozime për Projektligjin e rimëkëmbjes, por këto të fundit sipas tij po synojnë dështimin e Qeverisë Hoti, pasi që ‘çdo njeri i shëndoshë që ka përgjegjësi institucionale duhet të votojë pakon e rimëkëmbjes ekonomike’.