Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka vazhduar të martën intervistimin nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Haxhiu është parë së bashku me avokatin e saj, Tomë Gashi, teksa hyjnë në objektin e Policisë së Kosovë mbi deklarimet e saj për arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Për të njëjtën temë, Haxhiu është intervistuar edhe të hënën.
Ditë më parë, Haxhiu shkroi në Facebook se arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës – e mes të arratisurve ishte edhe Faton Hajrizi – janë lehtësuar dhe organizuar nga Serbia.
“Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës”, ka shkruar ministrja Haxhiu.