Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër banesa, shtëpi, institucione financiare, vetura e dyqane, duke shkaktuar humbje e pasiguri. Shpesh herë të dyshuarit janë edhe persona të njohur të viktimave, të cilët nuk hezitojnë të kryejnë edhe veprime të dhunshme ndaj tyre me qëllim të përfitimit pasuror.
Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në një shtëpi në rrugën ‘Sylë Hasani’ në Pejë, ku një person dyshohet se ka kryer grabitje.
Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar një grua e moshuar, e cila ka deklaruar se nipi i saj ka hyrë në dhomën ku ajo po flinte dhe e ka sulmuar fizikisht.
Pos dhunës fizike, i riu dyshohet se e ka torturuar të moshuarën duke ia mbyllur gojën që të mos bërtas dhe duke e tërhequr zvarrë nëpër dysheme. 19-vjeçari pasi rrahu të moshuarën, ka arritur që t’ia grabis asaj rreth 3 mijë euro para të gatshme dhe më pas ka ikur në drejtim të panjohur.
71-vjeçarja ka denoncuar rastin në Polici ku para hetuesve policorë ka rrëfyer gjithë tmerrin që ka përjetuar. Ndërkohë si pasojë e lëndimeve trupore që mori shkaku i dhunës, gruaja ka kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës.
Policia ka ndërmarrë veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në kapjen e të dyshuarit i cili momentalisht ndodhet në arrati.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.